SHBA, krimineli martohet i siguruar nga ‘eskorta’ e shtetit

24/12/2017 18:56

‘Dera e Shpresës’ është një eveniment i organizuar nga grupi ‘Engjëjt e Kufirit’, një OJQ amerikane që në formë simbolike disa herë në vit mundëson takimin në kufirin me Meksikën, të njerëzve që nuk lejohet ta kalojnë atë.

Një iniciativë e nisur në vitin 2013, që organizon disa dhjetëra takime të afërmish, të ndarë nga kufiri në vit dhe që mbështetet edhe nga rojet kufitare amerikane. Por një zbulim i fundit i medieve, e ka vënë në rrezik serioz këtë nismë, pasi u mor vesh se rojet kufitare bekuan dasmën e një trafikanti droge në kufi.

Dhëndri që shihni në ekran është shtetasi amerikan Denis Houston, një trafikant droge që pret dënimin në SHBA. Pavarësisht kësaj, ai mundi të martohet në kufi me të fejuarën e tij meksikane dhe askush nuk e ndaloi. Përkundrazi, Houston foli edhe për mediet dhe tha se dashuria nuk njeh kufi, ashtu si edhe zanati i tij i trafikut të drogës, pasi ai ishte ndaluar muaj më parë, duke kaluar kufirin meksikan me 40kg heroinë dhe kokainë.

Për mediet, një zëdhënës i Rojës Kufitare tha se ata janë të tërbuar pasi u mashtruan dhe i garantuan sigurinë me armë dasmës së një karteli. Faji për mos kryerjen e kontrollit të individëve që takohen në kufi, ka mbetur jetim, por mediet raportojnë se incidenti ka pezulluar takimet e parashikuara dhe duket se do t’i japë fund përgjithnjë këtij programi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA