Ishte 13 marsi i këtij viti, kur zjarri që ra në katin e parë të një banese në Thumanë la në rrugë 3 fëmijë dhe prindërit e tyre.
“Nuk dua as divane, asgjë, vetëm të ma mbyllin si shtëpi. Do të flej në dysheme. Nuk i dua çfarë kam pasur brenda fare. Unë për fëmijët e mi i mbaj me të ngrënë e me të pirë, me gjithçka, por nuk kam mundësi ta rindërtoj këtë shtëpi”, shprehej asokohe Jonil Muçi.
“Nuk kam ku të jetoj, po pati mundësi shteti që të kthehet dhe të shikojë familjen tonë, të na ndihmojnë, ose unë përndryshe s’ka për të më mbajtur më truri, veç kur t’i coj këta fëmijë te shteti, nuk mund t’i shoh më fëmijët kështu”, deklaronte Dafina Muçi…
Plot 10 muaj më vonë, familja Muçi u bë me shtëpi të re. Top Channel kontaktoi fondacionin “Fundjavë ndryshe”, që me kontributet e biznesmenëve bamirës, rindërtuan shtëpinë.
“Ende e kam të pabesueshme që kjo është shtëpia ime. Falënderoj shumë Top Channel dhe Arbrin, me ekipin e ‘Fundjavës ndryshe’. I falënderoj me gjithë shpirt, që i ndihmuan këta fëmijë të rriten në shtëpinë e tyre, si të gjithë fëmijët e tjerë. Ju falënderoj sinqerisht nga zemra. Gjithçka është falë jush, nuk ka lidhje me shtëpinë që ka qenë. Jeni ju, ata që e bëtë këtë shtëpi kështu siç shihet sot”, deklaron Jonild Muçi.
Për gruan e shtëpisë dhe nënën e fëmijëve, siç shumëfishohet dhembja kur sheh fëmijët të pashpresë, ashtu shumëfishohet edhe lumturia kur i sheh ata të rehatuar me një shtëpi. Dafina thotë se kjo është hera e parë në 29 vite që derdh lotë gëzimi.
“Në fillim dua të falënderoj Top Channel, që arriti deri këtu, që ne të kemi këto të mira, se unë nuk e kam parë ndonjëherë shtëpinë time kaq të bukur. Ka ndryshuar tërësisht dhe dua të falënderoj ‘Fundjavën ndryshe’, që ka bërë shumë për ne, si dhe të gjitha ato familje që na kanë mbështetur që të vendosim gjithçka në këtë shtëpi. Unë erdha te ju dhe ju ma plotësuat dëshirën, e shtëpia ime u bë aq e mrekullueshme sa s’më besohet. Unë, çdo gjë që do të laj në këtë shtëpi, do t’ju kujtoj dhe s’do t’ju harroj kurrë, vetëm ditën që të mbyllen sytë e mi, atëherë do t’ju harroj. Kam 9 vite martesë dhe një ditë të lumtur s’e kam parë. Ju arritet të plotësonit dëshirën time, që unë të jetoj e lumtur me burrin dhe fëmijët e mi. Dje ka ardhur mami im dhe ka puthur çdo gjë që ka kjo shtëpi, e më thoshte se do ta vendosë kokën në jastëk rehat, e më thoshte se tani është e lumtur”, rrëfen Dafina Muçi.
TCH: Arbër, një tjetër shtëpi e re e bërë nga “Fundjavë ndryshe”, me nismë të Top Channel këtë herë, në Thumanë…?
“Është hera e dytë që pas publikimit të dy familjeve në nevojë, rasti i parë në Ballsh, i dyti në Thumanë, të publikuara nga Top Channel. Ne e nisëm fushatën për restaurimin dhe ndërtimin e shtëpisë. Jemi të lumtur që finalizuam sot me gjithë vështirësitë që kemi pasur nga largësia me Tiranën, por ia dolëm që të bëjmë një shtëpi të mirë për familjen Muçi. Shpresojmë që dhimbja e tyre të marrë fund. Falënderoj bamirësit dhe median, që ka qenë e pranishme si në publikimin e rasteve, edhe në vazhdimësi në aktivitetet e ‘Fundjavës ndryshe’”, shprehet Arbër Hajdari, themelues i nismës “Fundjavë Ndryshe”.
Top Channel