Mjekët “vullnetarë”, 200 mijë lekë në muaj për të punuar në Korçë

23/12/2017 15:11

Erald Koçiaj, ka 9 muaj që punon në spitalin rajonal të Korçës, si kirurg i përgjithshëm . Në kohën kur ishte maturant, Eraldi fitoi një bursë nga Ministria e Arsimit për në Rusi, një vend i largët dhe i panjohur për të, ku studioi plot 12 vite.

Gjatë qëndrimit në Shën Petërburg e më pas në Moskë, Eraldi u specializua si kirurg dhe punoi si asistent në disa spitale.

“Për të punuar në Rusi në një institucion shtetëror duhet të jesh shtetas rus po ashtu edhe kostoja e jetesës në Moskë është shumë e lartë. Vendosa të kthehesha sepse nuk po bëja një zgjedhje midis Moskës dhe Bangladeshit por po bëja një zgjedhje midis Moskës dhe një shteti ku unë kam lindur dhe kam të gjithë të afërmit e mi dhe mendova se ia vlente që të jepja kontributin tim këtu në Shqipëri”, thotë Koçiaj.

Dëshira për të punuar si kirurg në Shqipëri, sfidoi largësinë nga nëna e tij, e cila jeton e vetme në Ballsh. Në listën e vendeve vakante në spitalet rajonale, Eraldit i propozuan sërish dy qytete më dëborë, Peshkopinë dhe Korçën; Eraldi zgjodhi Korçën.

“Një mjek i cili ka gradë shkencore, ka kualifikim pedagog do të preferonte që të punonte në një qendër spitalore universitare por në rast se një mundësi e tillë nuk ofrohet atëherë mbetet të zgjedhësh një nga spitalet rajonale. Më thanë për të shkuar njëherë në Peshkopi, por unë i thashë që e kam më të lehtë të mesoj gjermanishten se sa gegërisht. Unë për Korçën kisha vetëm një paraqitje gjeografike, e dija se ku ndodhej territorialisht por nuk kisha qenë ndonjëherë në Korçë, për mua ishte diçka shumë e re”, vijon Eraldi.

Por kjo zgjedhje nuk është vetëm vullnetare. Ndikim ka pasur edhe shpërblimi financiar. Doktori Eraldi është nga ata mjekë që kanë fituar nga bonusi i Ministrisë së Shëndetësisë për të punuar aty ku mjekët mungojnë, dhe paga e tij prej 200 mijë lekë në muaj është më e lartë se paga e një ministri.

“Mua më mjafton deri në fund të muajit ku përfshihen shpenzimet e përditshme, ndonjë shërbim i vogël makine , qiraja e shtëpisë dhe lëvizjet që unë bëj në fundjavë”, thotë Eraldi.

Megjithatë krahasuar me eksperiencën e tij në Moskë, shpesh atij i duket se po bën hapa mbrapa, pasi në spitalet rajonale si ai i Korçës punohet akoma me metoda tradicionale për operacionet e pacientëve.

“Këtu në Korçë ofrohet shërbim mjekësor, flas për pjesën kirurgjikale për pacientët dhe ky ka një nivel të caktuar. Mendoj se niveli duhet të jetë më i lartë dhe duhet që teknikat tradicionale të zëvendësohen me teknika mini-invazive. Operacionet që kam kryer deri në këtë moment kanë qënë të gjitha me metoda tradicionale”, rrëfen ai.

Për të ardhmen Erald Koçiaj dëshiron të provoj veten në spitale si ai i Fierit ose i Durrësit, ku edhe fluksi i pacientëve që vijnë është më i madh, ku edhe mund të përdorë ato metoda moderne pune, që iu deshën vite t’i mësonte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA