Policia siçiliane prangosi punonjësin e një ambulance nën dyshimin se kishte vrarë njerëz për të fituar para’ nga një agjensi funerale, të cilën ua sugjeronte më pas familjarëve të personave që vdisnin nën kujdesin e tij.
Dyshimet janë se 42-vjeçari ka injektuar ajër në venat e të paktën 3 pacientëve të sëmurë rëndë në kohën që ata transportoheshin nga spitali drejt shtëpisë. Për çdo kufomë, infermieri i vdekjes besohet të jetë paguar 300 euro. Skandali bëri bujë të menjëhershme në Itali. Policia e arrestoi të dyshuarin pasi një kontakt i saj, ish-pjesëtar i reformuar i mafias së egër siçiliane, i dha informacione autoriteteve të qytetit të Katanias dhe një programi televiziv investigativ.
Për rrjedhojë, punonjësi i ambulancës përballet sot me akuzat e vrasjes “me dashje”. Mënyra e injektimit të përdorur prej tij është vdekjeprurëse, duke qenë se shkakton emboli; flluskat e ajrit hynë në venë e më pas transportohen nga gjaku në zemër e mushkëri. 42-vjeçari besohet të ketë përfituar nga tronditja e të afërmve prej lajmit, duke i rekomanduar atyre menjëherë agjensinë funebre të lidhur me mafian vendase, e nga kjo fitonte një komision.
Sipas disa raporteve, skema mund të ketë funksionuar që prej vitit 2012. Hetuesit po verifikojnë me dhjetëra vdekje në Biankavila, megjithatë vetëm 12 prej tyre janë konsideruar me interes për hetimin e nga këto, tre i janë paraqitur deri tani gjykatës.
Top Channel