Të drejtat e njeriut, në Mianmar nuk lejohet hyrja e OKB-së

21/12/2017 00:31

Hetuesja e OKB-së për të drejtat e njeriut në Mianmar u ndalua që të hyjë në këtë vend. Yanghee Lee duhej të vizitonte Mianmarin në janar për të shqyrtuar gjendjen e të drejtave të njeriut atje, në veçanti dhunën e pretenduar ndaj myslimanëve Rohingya, në provincën e Rakines.

Por qeveria e Mianmarit tha se nuk do të lejojë vizitën e Lee, pasi ajo nuk është e paanshme dhe objektive në punën e saj. Vetë Lee tha se vendimi për të mos e lejuar të shkojë në Mianmar, tregon se diçka e tmerrshme po ndodh në Rakine.

Lee vizitoi Mianmarin në korrik dhe ngriti shqetësime për trajtimin e myslimanëve Rohingya që kanë braktisur vendin me mijëra dhe tregojnë për dhunë të paprecedentë ndaj tyre e spastrim etnik.

Udhëtimi i janarit të ardhshëm duhej të konfirmonte përfundimet e Lee, por autoritetet në Mianmar thanë se nuk mund të lejojnë vizitën e dikujt që publikon gënjeshtra.

“Kishte kaq shumë shpresa që Mianmari do të bëhej i lirë dhe demokratik”-deklaroi Lee, një koment i drejtuar tërthorazi lideres de fakto të Mianamarit Aung San Su Kii, e cila mori Nobelin për paqen, por tashmë hesht para dhunës në vendin e saj.

Mbi 650 000 Rohingya kanë braktisur Mianmarin që prej Gushtit për shkak të dhunës që sipas organizatave për të drejtat e njeriut, i ka kushtuar jetën të paktën 7 000 njerëzve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA