Shqipëria gjendet sot përpara një sprove të vështirë në OKB, në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara është mbledhur për një seancë të jashtëzakonshme, ku do të hidhet në votë rezoluta kritike ndaj vendimit të presidentit Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, si dhe zhvendosjes së Ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem.
Vet presidenti Trump tha se kombeve që do të votonin kundër Amerikës do t’iu ndërpritej asistenca financiare. Shqipëria është pikërisht njëra prej vendeve që e përfiton këtë lloj mbështetjeje nga Shtetet e Bashkuara.
“Le të votojnë kundër nesh po deshën, nuk na bëhet vonë. Do të kursejmë më shumë, sepse nuk do të ndodhë më si përpara, që të votohet kundër nesh, e ne prapë të japim miliona e miliona dollarë. Nuk do të përfitojnë më prej Amerikës, kjo është e sigurtë”, deklaroi presidenti Trump.
Më herët, ambasadorja amerikane në OKB, Nikky Haley paralajmëroi se do të mbahet shënim mënyra sesi do të votojnë të gjitha shtetet. Pozita e Shqipërisë përballë Shteteve të Bashkuara, në këtë rast bëhet edhe më e sikletshme, prej faktit se bashkëshorti i ambasadores është me origjinë shqiptare, e këtë fakt e pohoi vet ambasadorja Haley gjatë një pritjeje të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork, ku ambasadorja premtoi se Shtetet e Bashkuara do të angazhohen fuqishëm për njohje të tjera të Pavarësisë së Kosovës.
Seanca emergjente si kjo e sotmja janë vetëm 10 që prej vitit 1950, e hera e fundit kur u zhvillua një mbledhje e tillë në OKB ishte në vitin 2009, ku në fokus ishin pikërisht diskutimet për Jeruzalemin Lindor dhe territoret e pushtuara palestineze.
Shqipëria e vogël është përfshirë në këtë çështje globale për shkak të angazhimit të saj në organizmat ndërkombëtare. Një javë më parë, Shqipëria mori pjesë në Samitin urgjent të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Stamboll, ku rezoluta e përbashkët – ku Jeruzalemi u thirr me emrin arab Al-Quds, – dënoi vendimi e presidentit Trump për njohjen e Jeruzalemit, duke u shprehur se vendimi i presidentit Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit ishte një tërheqje e Uashingtonit nga roli i tij në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.
Një ditë më pas, kjo pjesëmarrje e Shqipërisë në këtë samit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik nuk kaloi pa debat në Parlament:
“Është i njëjti qëndrim që Shqipëria ka mbajtur në OKB me 4 rezolutat e Këshillit të Sigurimit, rezoluta detyruese që bëjnë referencë te viti ’67, me linjëzimin tonë në politikën e Jashtme 100% me atë të Bashkimit Europian”, shprehej Bushati në Kuvend.
Gjatë paradites së sotme, Top Channel kontaktoi me Ministrinë e Jashtme, por pa marrë një përgjigje për atë se çfarë do të bëjë Shqipëria sot. Vet kryeministri Edi Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ku pritet të qëndrojë 10 ditë, me një axhendë që nuk është bërë publike nga zyra e shtypit. Pyetja për sot është: Si do të votojë Shqipëria? Pro, apo kundër presidentit Trump?
Top Channel