Duhen thuajse 6 javë deri në përballjen e parë mes tyre, por me shortin që e ka vendosur përballë Sevilla, kanë nisur përplasjet e para mes spanjollëve dhe Manchester United.
Klubi anglez ka protestuar ashpër ndaj andaluzianëve për shkak të çmimit të lartë të biletave për ndeshjen e parë në stadiumin “Ramon Sanchez Pizjuan”.
133 paundë për një vend në impiantin iberik është një çmim i ekzagjeruar që ka shkaktuar revoltën e tifozëve. “Djajtë e Kuq” kanë të drejtën e 2650 vendeve në stadiumin spanjoll, por biletat janë ndarë në dy kategori çmimesh: e para në një çmim 100 euro dhe tjetra në thuajse dyfishin. Tifozët e Manchester United pretendojnë që kanë paguar më parë për të rezervuar biletat e fluturimit drejt Sevijës sesa vendin në stadium, ndërsa kërkuan nga klubi i “Old Trafford” të ndërhyjë për abuzimin.
“Është pak herët për të parë nëse do të mund të ndryshojmë çmimin e biletave, por jemi në kontakt me klubin dhe po lobojmë në UEFA që të influencojnë në këtë mënyrë kaq shfrytëzuese për tifozët”, tha Duncan Drasdo, shef ekzekutiv i Manchester United Supporters Trust (MUST).
Top Channel