Gjyqtarët, bileta për Real-Barça; “Krimet e Rënda” rrëzojnë pretendimet e prokurorisë për korrupsion

20/12/2017 11:12

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për të pezulluar nga detyra tre gjyqtarët e Apelit të Durrës, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno, të cilët po hetohen prej një viti për përfitime të paligjshme për të dhënë një vendim në favor të biznesmenit Namik Sadik, edhe ky nën hetim për të njëjtën çështje.

Rezulton se gjatë kohës që kishin në gjykim çështjen e biznesmenit, gjyqtarët kanë udhëtuar drejt Italisë, në të njëjtën ditë, orë, destinacion dhe shoqëri ajrore si biznesmeni.

Nga të dhënat e administruara nga sistemi TIMS rezulton se gjyqtarët dhe biznesmeni kanë udhëtuar dhe janë kthyer dy ditë më vonë, ndërsa biletat janë prerë njëra pas tjetrës tek e njëjta kompani ajrore.

Me argumentin se ky grup përbëhej nga katër persona, Prokuroria ka kërkuar ndihmën e drejtësisë italiane për të marrë në Napoli dëshminë e shtetasit Ferdinando Mollo, i cili ka pranuar se kishte për vizitë në vilën e tij katër persona, dy prej të cilëve nuk i njihte.

Episodi i dytë i Prokurorisë, sërish u referohet udhëtimeve në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën orë me avion i tre gjyqtarëve së bashku me biznesmenin, ndërkohë që biletat janë prerë sërish tek e njëjta kompani udhëtimi dhe përsëri numrat e prerjes janë të njëpasnjëshëm.

Por, për asnjërën prej Gjykatave të Krimeve të Rënda këto fakte nuk janë çmuar si prova për të hedhur dyshime mbi tre gjyqtarët. Nga hetimet, thotë Prokuroria, tre gjyqtarët kanë udhëtuar për të parë ndeshjen e futbollit në Madrid mes Reali dhe Barcelonës. Sërish Prokuroria i ka kërkuar ndihmë drejtësisë spanjolle për të zbuluar vendin ku janë akomoduar tre gjyqtarët. Drejtësia spanjolle i thotë Prokurorisë se gjyqtarët kanë qëndruar në dhoma dyshe që janë paguar nga këshilltari i ambasadës shqiptare në Spanjë, shtetasi Fatjon Pula me vlerën e 441 euro.

I njëjti punonjës i ambasadës, Fatjon Pula, ka paguar edhe dhomën e biznesmenit, i cili fillimisht ka rezervuar të njëjtin hotel me gjyqtarët dhe më pas është zhvendosur në një hotel prej 346 euro nata.

Por, pavarësisht se rezulton të ketë paguar dhomat e gjyqtarëve, këshilltari i ambasadës ka mohuar të kishte njohje me ta, ndërkohë që ka pranuar të ketë paguar dhomat e biznesmenit.

Prokuroria thotë se gjatë kësaj kohe biznesmeni ka komunikim telefonik aktiv me trupën e gjyqtarëve, por për Krimet e Rënda këto nuk mund të konsiderohen prova që mund ta bindin atë se gjyqtarët kanë dhënë një vendim të padrejtë. Për këtë rast, Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet t’i drejtohet me rekurs Gjykatës së Lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA