Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës një tender të zhvilluar nga Bashkia e Përrenjasit. Kryetarja Majlinda Rira, e cila është kandiduar nga LSI-ja, ka firmosur për blerjen e një mjeti tip zjarrfikës nga firma në pronësi të Bledi Koçit, i cili është kryetar i LSI-së së Librazhdit.
Në buletinin me numër 40, i datës 9 tetor 2017, të Agjencisë së Prokurimit Publik, është bërë shpallja e fituesit për blerjen e automjeteve për bashkinë. Fondi ishte 75 milionë lekë të vjetra.
Në lotin e dytë ishte blerja e një mjeti zjarrfikëses, me fond 16 mln lekë të vjetra. Pas zhvillimit të tenderit, fitues për këtë lot, u shpall firma “BLEVDI” shpk, me përfaqësuese Mirela Koçi.
Fiks Fare kërkoi në QKR-në për ekstraktin e kësaj firme, ku rezultoi se firma është në pronësi të Bledi Koçi. Nga verifikimet e redaksisë së “Fiks Fare”, rezulton se Bledi Koçi është kryetari i LSI-së për rrethin e Librazhdit, që mbulon edhe Bashkinë e Përrenjasit.
Kujtojmë këtu se Bashkia e Përrenjasit, në zgjedhjet e vitit 2015, është fituar nga kandidatja e LSI-së, zonja Miranda Rira. Pra, firma që ka pronar kryetarin e LSI-së së Librazhdit, i ka shitur një automjet bashkisë së Përrenjasit, që drejtohet nga një kandidatë nga LSI-ja.
Gazetarët e Fiks Fare shkuan në Bashkinë e Përrenjasit, për të pyetur zyrtarët e kësaj bashkie. Zëdhënësja u komunikoi gazetarëve se kryetarja nuk ndodhej në institucion dhe duhet një kërkesë. Pas disa orësh, bashkia jep një përgjigje me shkrim. Dokumenti i bashkisë mban për çudi firmën e kryetares së bashkisë. “Tani nuk mund të rrini më këtu (tenton të largojë mikrofonin). Nuk mund të ngjiteni lart”, thotë zëdhënësja, teksa një punonjës tha se kryetarja nuk ndodhet në godinë.
Në dokumentin që na dorëzoi bashkia, janë vetëm dokumentet standarte të tenderit. Ndërkohë, që e çuditshme në këtë dokument zyrtar është firma e zonjës Miranda Rira. Fiksi shkoi edhe në repartin e zjarrfikëses, ku drejtuesi NEbi Muçaj, tha se ka një mjet të mirë. “Mjeti është i vitprodhimit 1989. Është me 30 mijë kilometra, është në gjendje shumë të mirë. Në krahasim me të tjerat është shumë më të mirë, në shumën që kemi shpenzuar”, thotë Muça.
Sipas tij, mjeti është i tipi Benz, i përdorur në Gjermani me kilometrash 33 mijë kilometra. Në fund, drejtori falënderoi Fiks Fare, pasi ka nxitur që shërbimi i zjarrfikëses në të gjithë Shqipërinë të jetë më i mirë.
Gazetarët shkuan edhe në qytetin e Librazhdit, ku qytetarë të shumtë thanë seBledi Koçi është kryetar i LSI-së së këtij qyteti. Pas kërkimeve në shtëpi dhe në seli, gazetarët nuk mundën të kontaktonin me Bledi Koçi.
Top Channel