7 muaj pas krizës më të madhe politike në Maqedoni dhe sulmit mbi Parlament, në Top Story mbrëmjen e së martës ka qenë i ftuar kryeparlamentari i Maqedonisë, shqiptari Talat Xhaferi.
Zgjedhja e kryeparlamentarit të parë në Maqedoni me orgjinë shqiptare kaloi jo pa probleme, e sigurisht ato që kanë mbetur në mendjen e të gjithëve është mësymja e protestuesve në ambientet e Parlamentit, 27 prillin e këtij viti.
“Hetimet do tregojnë se çfarë ndodhi atë ditë. Jeta e të gjithë deputetëve shqiptarë ishte në rrezik. Hyrja e qytetarëve mund të rrezikonte sigurinë në të gjithë Maqedoninë”, thekson Talat Xhaferi, duke vënë në dukje se ai incident mund të provokonte një luftë etnike.
Lidhur me përplasjet e fundit në Kuvendin shqiptar, jo pak të ngjashme me ato Shkupit të 27 prillit të këtij viti, Talat Xhaferi vuri në dukje se shqiptarët në Maqedoni, por edhe ata që jetojnë në shtete të tjera nuk i mirëpresin dhe nuk i duan këto situata.
“Reagimi i shqiptarëve në Maqedoni për këtë rast, është se ata nuk pranojnë një mënyrë të këtillë veprimi. Pritshmëritë e tyre është që institucionet të jenë funksionalë”, shprehet Talat Xhaferi.
Më tej Xhaferi është ndalur tek hapësira që po i lihet partisë opozitare në Maqedoni, VMRO-DPMNE-së, për të krijuar institucionet e saj të reja të brendshme.
“Pres 23 dhjetorin për të mësuar se kush do të jetë kreu i ri i VMRO-DPMNE-së. Puna më e mirë që kemi bërë është pritja e zgjedhjeve të brendshme të kësaj partie, për çështjet e rëndësishme”, u shpreh ai.
LSDM-ja në zgjedhjet e fundit kandidoi shumë shqiptarë, madje në forcën e kësaj partie ka edhe një nënkryetar shqiptar, duke ngritur një pikëpyetje nëse kjo është një rrjedhë normale, apo një dështim i partive shqiptare. Për Talat Xhaferi do të duhet që të priten zgjedhjet e ardhshme për të përcaktuar si cili është shkaku i vërtetë.
Sa i përket premtimeve të Zaevit, Xhaferi tha se ligji për Gjuhën Shqipe pritet të jetë testi i parë.
“Ligji për Gjuhën Shqipe pritet të jetë testi i parë për premtimet e Zaevit. Mund të jetë edhe deri në fund të këtij viti, por brenda janarit pritet të miratohet ligji për gjuhën shqipe”, u shpreh Talat Xhaferi.
Por sa ka pasur dorë Tirana në njëhësimin e platformës shqiptare në Maqedoni, e cila nuk u pa mirë nga ata që nuk e shohin me sy të mirë rritjet e faktorit shqiptar në rajon?
“Teksti ishte hartuar në programet e partive shqiptare. Ishte e qartë se asnjë prej partive shqiptare nuk bënte shumicën pa pjesëmarrjen e shqiptarëve. Për këtë arsye ajo që nuk u kuptua para zgjedhjeve të mund të bashkërendonim pikat e përbashkëta. Dihet se kush ishin pikat e tyre të përbashkëta. Jo të gjithë subjektet kishin besim tek njëra-tjetra, kjo është edhe arsyeja se Tirana sugjeroj për pikat e përbashkëta. Kjo u interpretua nga VMRO-DPMNE që të ngrinte edhe protesta për ndalimin e platformës”, sqaron Xhaferi.
I ftuar në Top Story, ndër të tjera, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë foli edhe për ndikimin rus në Shkup.
Xhaferi nuk e mohoi një gjë të tillë, por tha se Maqedonia është në rrugën e duhur drejt integrimit Euro-Atlantik.
“Ndikimet globale të faktorëve kryesorë ndërkombëtare nuk janë vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Historikisht, Ballkani ka qenë pika e goditjeve mes forcave botërore dhe tendencat për të patur ndikime ekzistojnë dhe nuk mund ta themi në mënyrë të prerë që nuk ekzistojnë. Në forma politike, qytetare, por edhe ekonomike. Republika e Maqedonisë dhe shumica e qytetarëve të saj strategjikisht janë të drejtuar nga Perëndimi. Atëherë edhe institucionet përkatëse që reflektojnë në këtë drejtim duhet të mbajnë këtë kurs të orientimit të tyre perëndimor. Shërbimet Sekrete janë një nga instrumenteve ku mund të ndikohet. Tendenca për reformim edhe e strukturave përkatëse të jenë të vendosura nën mbikëqyrje demokratike të parlamentit. Në mënyrë që në të ardhmen të mos lejohet një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e subjekteve të interesuara për ndërhyrje dhe mendoj se jemi në rrugë të duhur dhe të kthyer në rrugën e integrimeve Euro-Atlantike edhe me veprimet konkrete që qeveria ka treguar në këto 7 muajt e fundit, kjo tregon se institucionet kanë marrë në dorë përgjegjësitë e veta”, u shpreh Talat Xhaferi.
Top Channel