PS, votim me emrat e PD. Opozita: Zgjedhja e kryeprokurores, jolegjitime

19/12/2017 15:10

Arta Marku u zgjodh me 69 vota, por edhe me emrat e deputetëve demokratë që protestonin kundër zgjedhjes së kryeprokurorit të përkohshëm.

Mazhoranca i kishte votat e mjaftueshme për kryerjen me sukeses të votimit, por Monika Kryemadhi e LSI, bllokoi disa deputetë socialistë, duke rrëmbyer kartat e tyre të votimit.

Taulant Balla nuk humbi kohë. Për kompensim rrëmbeu karta djathtas, duke bërë që votues të figurojnë demokratët.

“Votimi për prokurorin është një votim i fshehtë, nuk bëhet as me kuti, bëhet me akses në sistem”, deklaroi Taulant Balla në Top Story-n e të hënës.

“Mos thuaj të pavërteta! Sapo the që ajo zonja paska marrë karta, të njëjtën gjë po bën edhe ti dhe këtu rezulton se ka votuar Genc Pollo”, reagoi po në Top Story, Edmond Spaho nga PD.

Se çfarë quhet votim e thotë Rregullorja e Kuvendit në nenin 57 të saj?

1.Votimi është vetjak.
2. E drejta e votës nuk delegohet.
3. Votimi bëhet i hapur ose i fshehtë.
4. Me fillimin e votimit nuk lejohet të bëhen më diskutime dhe as i jepet fjala ndokujt deri në shpalljen e rezultatit të votimit. Votimi nuk ndërpritet për asnjë arsye.

Mazhoranca e vendosur për t’i shkuar deri në fund zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme zgjodhi të mos ndërpriste procesin, por të votonte me kartat e kolegëve protestues.

Rregullorja parashikon dhe rastin e votimit të parregullt, kur thotë se “Çdo votim i kryer në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin ose Rregulloren e Kuvendit është i pavlefshëm. Drejtuesi i seancës, pasi merr mendimin e Sekretariatit për Procedurat dhe Votimet urdhëron anulimin e votimit dhe përsëritjen menjëherë të tij”. Nga deklarimet e mazhorancës, nuk duket të shkojmë drejt një situate të tillë.

“Po plotësojmë dokumentacionin me faktin që deputeti është prezent dhe vetëdeklaron që ka përdorur aksesin në rrjetin elektronik të votimit përmes kësaj. Besoj që ka ardhur momenti që edhe rregullorja e Kuvendit duhet ndryshuar për të parashikuar qartë edhe këto raste. Nuk mund të merrej peng Kuvendi i Shqipërisë duke penguar votimin”, deklaron Taulant Balla.

Tentime për bllokim votimi ka pasur vazhdimisht në Parlamentin shqiptar. Por reagimi i 18 dhjetorit nga Monika Kryemadhi të sjell në vëmendje atë të bashkëshorti të saj Ilir Meta korrikun e 2006-ës. Zonja Kryemadhi hodhi këpucën dhe jo vetëm, në drejtim të Kryeministrit, ndërsa Ilir Meta kapërceu mbi tavolina për të arritur tek kryeparlamentarja Topalli. Për herë të parë dhe të fundit asokohe votimi u bë jashtë sallës plenare në zyrat e Kryesisë së Kuvendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA