Megjithëse ende me leje të zakonshme deri në datën 20 janar, në orën 08:20 minuta të së martës Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku la në shtëpi në lagjen Perash të Shkodrës dy vajzat e saj dhe nisi udhëtimin drejt Tiranës për të marrë detyrën e re të kryeprokurores.
Garda e Republikës i kishte vendosur në dispozicion zonjës Marku të njëjtët truproja dhe automjete që deri të hënën shoqëruan paraardhësin, Adriatik Llallën. Por, ndalesa e parë e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku ishte Kuvendi, pasi eskortës së kryeprokurores së përkohshme i është shtuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj.
Në pritje të zonjës Marku, i pari që mbërriti në orën 09:30 në Prokurorinë e Përgjithshme ishte Adriatik Llalla, i cili pesë vjet më parë mori stafetën e akuzës nga Ina Rama në një ceremoni të hapur për herë të parë edhe për publikun dhe që i la karrigen po një gruaje prokurore, por kësaj radhe me dyer të mbyllura.
Arta Marku mbërriti në orën 10:00 në Prokurorinë e Përgjithshme dhe qëndroi në zyrë me Adritiak Llallën për 45 minuta në atë që është zyra e saj tashmë.
Përveç tyre, të pranishëm në ceremoninë me dyer të mbyllura ishin Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, drejtoresha e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, sekretari i Përgjithshëm i Prokurorisë, Genti Kosumi dhe prokurori Adnan Xholi.
Holli i brendshëm i prokurorisë ishte kufiri i fundit ku Marku dhe Llalla poqën duart, njëri për t’u ngjitur në zyrën e re dhe tjetri me plane ende të pazbuluara.
Detyra e parë e Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme ishte pjesëmarrja në një takim të përbashkët në Kryesinë e Kuvendit.
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme është femra e dytë që merr drejtimin e organit qendror të akuzës. Por, për shkak të ndryshimeve ligjore të reformës, ndryshe nga Ina Rama me të cilën kanë qenë në të njëjtin auditor në Shkollën e Magjistraturës, Arta Marku do të ketë kompetenca më të kufizuara.
Gjithsesi, kompetencat e Prokurorit të Përkohshëm, që parashikohen në dispozitat kalimtare.
Përveç nxjerrjes së udhëzimeve për Prokurorinë, ajo ka të drejtë t’i propozojë Presidentit kandidatët për prokurorë pasi të ketë marrë mendimin e Këshillit të Prokurorisë, të komandojë prokurorë në prokurori të tjera, apo të pezullojë prokurorë nga detyra atëherë kur ndaj një prokurori nis procedimi penal.
Top Channel