Profile të ndryshme në “Twitter”, që dyshohet se kanë lidhje me Rusinë, u përdorën për të zgjeruar impaktin dhe dhimbjen e 4 sulmeve terroriste në Britani gjatë vitit 2017.
Studiuesit e Universitetit të Kardifit dolën në këtë përfundim, pasi gjetën qindra mesazhe në 47 profile, që më herët kanë pasur lidhje me Rusinë. Disa postime nga këto profile kishin natyrë antimyslimane, ndërsa të tjera kritikonin këto pikëpamje.
Moska nuk ka komentuar për raportin e Universitetit të Kardifit, por gjithnjë ka mohuar akuzat se ka tentuar të dëmtojë demokracitë perëndimore përmes medieve sociale.
Studiuesit e Universitetit të Kardifit analizuan miliona postime dhe komente në mediet e ndryshme sociale, para se të përfundonin te 70 profile të rreme në “Twitter”. 47 prej tyre ishin lidhur që më herët me Rusinë nga hetuesit e Kongresit amerikan, si për shembull revista ruse RBK, apo të tjera.
Mësohet se këto profile i dërgonin mesazhet apo postimet e tyre në profilet e njerëzve të framshëm, si shkrimtarja J.K. Rowling, në mënyrë që të viheshin re edhe nga fansat e tyre. Zyrtarë britanitë dënuan këtë aktivitet keqinformimi në internet, sidomos kur Britania përballej me sulme terroriste, ndërsa shtuan se këto aktivitete duhen ekspozuar sa më shpejt.
Top Channel