Tradita për të blerë sa më shumë produkte për ta pasur plot tryezën në ditë festash e shfrytëzojnë tregtarët të cilët abuzojnë me rritjen e çmimeve në prag të tyre.
Por për të shmangur këto abuzime bashkia e Tiranës sugjeron për blerje 15 tregjet e bashkisë pasi janë gjetur mekanizma për të frenuar këtë abuzim të tregtarëve duke i nxjerrë specialistët e Agjencisë së Konsumatorëve që tani në tregje.
“Ne i ftojmë qytetarët edhe të denoncojnë pasi në çdo rast ne ia referojmë organeve hetimore që ka penalitete deri në bllokim të mallit”, thotë Irma Vuci, specialiste e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorëve.
Për të pasur siguri sa më të lartë edhe për mishin që është produkti që konsumohet më shumë nga qytetarët, bashkia sugjeron që të kujdesen për të konsumuar atë që theret në thertoren e bashkisë.
“Duhet të ketë vulën e thertores së Vaqarrit që ka siguri që nuk është dëmtuar gjate procesit të therjes dhe transportit”, thotë specialistja.
Për të tretin vit radhazi bashkia e Tiranës hap në datë 22 edhe tregun e gjelave të detit në Baldushk, zonë e cila njihet për mirërritjen e tyre.
Top Channel