Klement Balili dhe familjarët e tij që janë vendosur nën hetim pasuror sipas ligjit Antimafia, kundërshtojnë në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda masën e sekuestros ndaj pasurive të tyre.
Shumica e këtyre aseteve është regjistruar në emër të vëllait të Klement Balilit, Bashkimit, por gjykata e shkallës së parë thotë në vendimin që Top Channel disponon, se ka dyshime që pasuritë, ndonëse shumica në emër të Bashkimit, të jenë produkt i veprimtarisë së paligjshme të Klementit. Si një ndër skemat e përfolura nga i dyshuari dhe të afërmit e tij, janë kontratat e huave fiktive. E tillë është kontrata e dhënies së borxhit, shtetasit S.V. në vitin 2013.
Më pas prokurorët thonë se edhe Jeton Balili, student në Angli, ka nënshkruar kontratë për dhënie borxhi prej 40 mijë eurosh të njëjtit person. Klement Balili rezulton të ketë hyrë si dorëzanësi numër një për pagimin e kredisë prej 500 mijë eurosh të të vëllait, Bashkim Balili, që është edhe personi që ka emrin në shumicën e aseteve të bllokuara.
Duke ndjekur skemën e kontratave të huave të dyshuara fiktive, Bashkim Balili ka firmosur një kontratë të tillë për marrje borxhi prej 500 mijë dollaresh shtetasit Y.M, një kontratë që është firmosur e tillë edhe me shtetasin X.Sh. për një borxh prej 96 mijë dollarësh. Në vendim përmendet gjithashtu edhe hetimi ndaj gjyqtarit të Vlorës, Petrit Aliaj, ndaj të cilit kanë nisur hetime për fshehje pasurie.
Gjatë deklarimit të pasurisë, gjyqtari Aliaj ka treguar se në kohën që ishte avokat, ka përfituar shumën prej 47 mijë dollarësh për shkak se ka qenë i punësuar në firmën e vëllezërve Balili. Për rikonstruksionin e ish-kampit të punëtorëve, resortit Santa Quaranta, gjykata vëren se ka parregullsi edhe në paraqitjen në Këshillin Teknik.
Në dokumentin e lëshuar në 2009-ën, ka shënime me shkrim dore “të plotësohet dokumenti, të mos shqyrtohet nga Këshilli Teknik”. Në të njëjtën dosje janë të futura një kontratë ndërtimi pa datë me një shoqëri ndërtimi, në të cilën mungon vlera e punimeve të objektit.
Top Channel