Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka pritur homologun e tij të Metz, Dominique Gros, ku diskutuar rreth mundësisë së projekteve të përbashkëta për mjedcisin, kulturën dhe teknologjinë e avancuar.
Në shenjë mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm mes dy bashkive dhe për kontributin në mbështetje të qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Metz, Veliaj i dorëzoi kryetarit të Bashkisë, Dominique Gros, simbolin e qytetit tonë, Kullën e Sahatit.
“Kur erdhëm këtu para dy vitesh, ora nuk punonte prej 4 vitesh dhe njerëzit pyesnin: Çfarë do bëjë tani skuadra e re në qytet, çfarë do ndërtojë e çfarë do të prishë? Në u përgjigjëm: Gjëja e parë që do të bëjmë, në minutën e parë, do rregullojmë orën sepse mesazhi që duhet të japim është që ky qytet dhe ky vend nuk ka kohë për të humbur. Do të doja që të gjenit një vend në tavolinën tuaj dhe për t’u kujtuar që është gjithmonë ora për t’u rikthyer në Tiranë”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Metzit, Dominique Gros, vlerësoi se Tirana është një qytet evropian që aspiron drejt Evropës dhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Francën.
“Tirana është një qytet që po zhvillohet dita-ditës dhe kjo duket qartë, duke qenë se edhe popullsia është pesëfishuar gjatë këtyre viteve, që nga fundi i periudhës komuniste. Vërej se Tirana është një qytet evropian, që aspiron drejt Evropës dhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Francën, ashtu siç kanë ekzistuar edhe në të kaluarën këto marrëdhënie kulturore. Unë jam duke i konstatuar të gjitha këto. Ambasada është e pranishme, anëtarët e parlamentit që bëjnë pjesë në këtë delegacion e kuptojnë fare mirë”, theksoi Gros.
Pjesë e vizitës së kryebashkiakut Gros në Tiranë ishin edhe një grup deputetësh nga Parlamenti francez, në përmbushje të një vizite zyrtare që ata po kryejnë në vendin tonë.
Top Channel