PD-LSI, protestë të hënën. Kundërshtojnë zgjedhjen e Prokurorit të Përkohshëm

16/12/2017 12:07

Opozita do t’i përgjigjet me protestë mazhorancës, që ka vendosur të zgjedhë të hënën me votat e saj Kryeprokurorin e Përkohshëm.

Lulzim Basha ka thirrur pasditen e së shtunës fillimisht kryetarët e degëve dhe më pas grupin parlamentar demokrat për të zyrtarizuar qëndrimet për protestën dhe seancën që shënon dhe fundin e sesionit parlamentar. Ndërsa të dielën, LSI mbledh Komitetin Drejtues Kombëtar për organizimin e protestës para Parlamentit. Paraprakisht, Monika Kryemadhi e cilësoi të hënën si ditën më të errët të demokracisë shqiptare.

Pasi Kuvendi vendosi të konstatojë me 7 dhjetor përfundimin e mandatit të Adriatik Llallës, opozita e bojkotoi procedurën e zgjedhjes së kryeprokuorit të përkohshëm. PD dhe LSI mbështeten tek Kushtetuta, e cila përcakton Këshillin e Lartë të Prokuorisë, si të vetmin organ që mund të konstatojë fundin e mandatit dhe prej të cilit vijnë dhe propozimet për kryeprokuorin e ri.

Por, në kushtet kur KLP ende nuk është ngritur, socialistët vepruan sipas dispozitës kalimtare të ligjit për prokurorinë për caktimin e një prokurori të përkohshëm.

Ky proces u parapri nga një mendim i ekspertëve të Opdat dhe Euralius, mbështetur nga ambasadat respektive të SHBA dhe BE në vendin tonë. Ata këshilluan largimin e Llallës më 7 dhjetor dhe zgjedhjen kryeprokurorit të përkohshëm me shumicë të thjeshtë votash, duke inkurajuar palët për dialog në këtë kuadër.

Kryeministri Edi Rama e ftoi disa herë Lulzim Bashën për pakt në emër të integrimit, duke e nisur me zgjedhjen e një kryeprokurori konsensual. Kreu demokrat refuzoi të bëhet pjesë e atyre që i cilëson veprime antikushtetuese, një përgjigje që ia dha edhe ambasadorit amerikan. Kreu demokrat paralajmëroi se zgjedhja nga socialistët e kryeprokurorit të përkohshëm më 18 dhjetor do të ishte fundi i shtetit ligjor dhe i demokracisë dhe shtoi se opozitës i lind detyra të japë përgjigjen e merituar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA