Thirrjes së bashkisë së Tiranës për dhurimin e pemëve i janë përgjigjur jo vetëm biznese por edhe përfaqësi të huaja diplomatike.

PNUD ka dhuruar dy pemë për çdo makinë që zotëron dhe përdor në Tiranë, të cilat janë mbjellë në parkun e Liqenit Artificial.

“Jam shumë i lumtur sot që Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe i gjithë stafi i tyre në Tiranë na janë bashkuar për mbjelljen e pemëve në Parkun e Liqenit. Sapo kemi hapur një shteg të ri, të cilin po e gjelbërojmë në të dyja anët dhe ato i janë përgjigjur sfidës tonë. Sfida jonë ishte, kush ka një makinë duhet të mbjellë dy pemë. Kështu që, për të gjitha makinat e Kombeve të Bashkuara që qarkullojnë në Tiranë kemi marrë mbrapsht dy pemë”, u shpreh ai.

Veliaj theksoi se për Bashkinë e Tiranës është e rëndësishme që të ecet me këtë ritëm dhe kësaj nisme t’i bashkohen të gjithë ata që kanë një makinë apo edhe çdo qytetar që kërkon që t’u lërë fëmijëve të tij një qytet më të pastër.

“Nëse të gjitha bizneset, kompanitë, sipërmarrjet, organizatat e huaja e ato vendore, kushdo që ka një makinë e shumëzon për dy dhe i jep qytetit dy pemë, unë them se në një farë mënyre e ka larë ndërgjegjen nga përdorimi i makinës në Tiranë”, shtoi kryebashkiaku.

Gjithashtu, ai siguroi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me intensitet të lartë projektin e mbjelljeve të pemëve dhe të krijimit të Pyllit Orbital. Ai u shpreh se, vetëm në këtë mënyrë dhe me këtë ritëm, Tirana pas disa vitesh do jetë e rrethuar nga një pyll me 2 milionë pemë.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA