Prurjet e mëdha pas shirave të pak ditëve më parë kanë nxjerrë në shtratin e lumit të Bënçës në Tepelenë rreth 100 predha të Luftës së Dytë Botërore.

Armatimi i artilerisë së rëndë është pikasur nga banorë të lagjes “Demokracia” në Tepelenë, të cilët kanë njoftuar policinë.

Halim Xhaxhiu, specialist armatimi në Policinë e Qarkut, i cili drejtoi ekipin që kreu konstatimet paraprake, sqaroi se zona është rrethuar pasi përbën rrezik për banorët, ndërsa është vendosur shërbim me roje derisa të përfundojë zhvendosja dhe demontimi i predhave prej forcave xheniere. Policia u ka kërkuar banorëve që të mos i afrohen bregut të lumit dhe të mos i prekin armatimet që mund të ndeshin edhe në segmente të tjera të rrjedhës.

“Është lajmëruar Drejtoria e Emergjencave për të hequr predhat që janë të rrezikshme. Besoj se do të hiqen brenda këtyre dy ditëve”, shprehet Xhaxhiu.

Ekipi që kreu verifikimet dyshon për një sasi më të madhe armatimi të së njëjtës periudhë që mund të gjendet nën zallin e lumit. Në sipërfaqen e lumit të Bënçës ka ende predha të Luftës së Dytë Botërore, të cilat janë të mbuluara nga gurët e bregut të lumit.

Ende nuk ka një version zyrtar mbi origjinën e këtij arsenali. I vetmi fakt i njohur është mosha e armatimit dhe prania e një ish-reparti ushtarak disa qindra metra larg vendit ku u gjetën predhat, në bregun e lumit të Bënçës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA