Fiks Fare / Triporti në Vlorë jashtë kontrollit, administratori: Mbizotëron më i forti

15/12/2017 21:27

Përmbytjet e fillim dhjetorit shkaktuan dëme edhe në anijet në zonën e Triportit në Vlorë. Ndryshe nga zonat e tjera ku shteti ndërhyri, në Triport peshkatarët luftuan me thonj për të nxjerrë anijet e mbytura nga fatkeqësia natyrore. Dhe, deri më sot, nuk kanë marrë asnjë ndihmë.

Fiks Fare udhëtoi në Vlorë, në Triport, pas thirrjet dëshpëruese të disa peshkatarëve. Ata tregojnë se natën e 1 dhjetorit, duke u gdhirë 2 dhjetori, kanë qenë në shtëpi. Janë lajmëruar nga rojet se anijet po mbyteshin. “Erdhëm, po çfarë të shihnim, anijet po mbyteshin” thotë Muharrem Buda, i cili është i vetmi që punon në familje. Ndërkohë, Pëllumb Isai, shpjegon se është veti i 8 në familje, ka tre fëmijë të mitur për të ushqyer dhe vetë ai punon. Thotë se ka që 17 vite peshkatar, ndërsa në momentin e intervistës anijen e kishte nën ujë. Kërkesa e tij është që të marrë një ndihmë nga shteti, sado e vogël që të jetë.

Peshkatari i tretë që i është mbytur anija është Astrit Levani, i cili ka ardhur nga emigrimi për të pleqëruar në Shqipëri. Të gjithë paguajnë për licencat, taksat dhe kolaudimin. Pas fatkeqësisë, në Triport ka shkuar një ekspert i Kapitenerisë së Vlorës, i cili ka bërë një procesverbal, por deri më sot asnjë ndihmë.

Ndërkohë, Koço Kristo, thotë se “kemi shumë probleme këtu në Triport, bankinat janë bërë që në kohën e Enver Hoxhës. Anijet dëmtohen nga gurët kur ka dallgë dhe s’ka asnjë ndihmë”. Ankohet se hyrje-dalja e anijeve nga porti është shumë e cekët dhe askush nuk ka vënë dorë. Gazetarët shkojnë edhe te anija që ka dalë mbi ujë, e cila është nxjerrë një natë më parë. Motori ka marrë ujë, sistemi elektrik dhe elektronik nuk punon.

Ditën që shkoi Fiks Fare, peshkatarët kishin vendosur të nxirrnin me forcat e tyre një tjetër anije. Grupi i Fiksit ndoqi për 5 orë me radhë të gjithë aksionin, ku një polumbar vendoste disa jastëkë me ajër në anijet e mbytura. Dhe pas orësh të tëra, anija doli mbi ujë.

Pronari i anijes që u ngrit mbi ujë, Pëllumb Isai, thotë se anija ka dëme të mëdha. “Le të vinë ta marrin, nuk kam për çfarë e dua. Dëmi llogaritet në 10 milionë lekë. Ku ti gjej” thotë Isai, i cili është peshkatari që ka 3 fëmijë të mitur.

Fiks Fare intervistoi edhe Mezan Mezanin, kryetar i Organizatës së Menaxhim Peshkimit. “E kemi marrë portin në administrim nga shteti për 30 vjet. Deri tani nuk kemi arritur ta administrojmë. Në port nuk ka një mjet vinç që të ngrejë anijet. Porti është uzurpuar nga individë të veçantë” thotë Mezani, ndërsa shton se “aktualisht mbizotëron më i forti”. Gazetarët e Fiksit shkojnë edhe në kapitenerinë e Portit të Vlorës, por drejtori nuk ishe në zyrë, madje kishte fikur edhe telefonin.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA