Qendra për Çështjet e Informimit Publik ka arritur në përfundimin se çështjet administrative në Shqipëri nuk gjykohen brenda afateve ligjore.
Gerti Shella, drejtor i INFOÇIP, shprehet: “Vonesa mesatare në shqyrtimin gjyqësor administrativ në Shkallë të Parë për vitin 2016, ka qenë rreth 125 ditë; në Apel 580 ditë, kurse në Gjykatën e Lartë, 820 ditë”.
Shella argumenton se këto vonesa vijnë për shkak të mungesës së gjyqtarëve. Shqetësimi mbështetet edhe nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori: “Unë kam 6000 çështje. Si mund të respektohet afati i gjykimit 90-ditor me tre gjyqtarë në Kolegj, përfshi edhe veten”.
Duke mbështetur shqetësimet e ngritura, Presidenti Ilir Meta kërkoi nga të gjithë faktorët në vend që reforma në drejtësi, tashmë të bëhet efektive.
“Nëse i kërkojmë gjykatës që të respektojë afatet gjyqësore, po njësoj duhet t’i kërkojmë kujtdo që e ka për detyrë të ndërmarrë seriozisht veprimet e tij dhe të angazhohet në përshpejtimin e procesit të zgjedhjeve të organeve të reja të sistemit të drejtësisë. I bëj thirrje të gjithë forcave politike, në radhë të parë Kuvendit, shoqërisë civile dhe të gjithë aktorëve të sistemit gjyqësor të përfshirë në këtë proces, që nën frymën e Kushtetutës së vendit si dhe duke ndjekur si busull këshillat e vyera të Komisionit të Venecias, të ndërmarrin hapa seriozë, në mënyrë që kjo reformë e madhe legjislative të bëhet reale, e prekshme dhe efektive sa më shpejt, larg politizimit të skajshëm dhe larg interesave partiake të ditës”.
Top Channel