Teksa ka informuar grupin parlamentar socialist mbi procesin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, Ulsi Manja, kreu i komisionit të ligjeve, ka bërë të ditur dhe arsyet pse Këshilli i Lartë i Prokurorisë, organi që do të duhej të zgjidhte kryeprokurorin, nuk është ngritur ende.
Sipas Manjës, dy janë arsyet pse nuk është ngritur, ankimimi që iu bë ligjit të vettingut nga opozita dhe mungesa e kandidaturave nga shoqëria civile.
“Komisioni i Ligjeve ka hapur procedurën për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Nuk është parashikuar zgjatja e mandatit të kryeprokurorit, por përfundimi i mandatit të tij në afatin normal. Kryeprokurori i ri do të zgjidhet sipas Kushtetutës. Në kohën kur nuk janë ndërtuar organet e reja të Prokurorisë, Komisioni i Ligjeve është vënë në dijeni për moskrijimin e këtij organi kushtetues nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm, të cilin e ngarkon Kushtetuta si organ që do merret me administrimin e KLP. Arsyeja pse nuk është krijuar KLP për dy arsye: E para, ligji i Vettingut, bllokimi nga opozita, të cilin e ka ankimuar, duke shtyrë për gati një vit e gjysmë krijimin e organeve. E dyta, mungesa e kandidaturave nga Shoqëria Civile”, ka thënë Manja.
Ai i bën thirrje prokurorëve që të kandidojnë për këtë postë, duke sjellë kandidaturat në Kuvend deri në orën 18.00 të së martës 12 dhjetor, pasi ligji e ka të përcaktuar të jetë profesor i sistemit.
“Nëse nuk ndërhyn Kuvendit për të zgjidhur këtë ngërç, jemi në shkelje flagrante të ligjit dhe Kushtetutës. Ligji e ka përcaktuar që do të jetë profesor i sistemit, pra të jetë prokuror me mbi 15 vite punë. Deri më 12 dhjetor ftoj prokurorët të bëhen pjesë e garës. Moskalimi i Vettingut nuk është kriter kushtetues”, tha Manja.
Top Channel