Kreu i qeverisë Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së tha se Shqipëria është më afër se kurrë hapjes së negociatave me BE, dhe për këtë arsye do të kërkojë dhe për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm një mirëkuptim me opozitën.
“Përsa i përket bazës ligjore është mëse e qartë se si bëhet, por që për fat të keq ka krijuar përsëri një situatë moskuptimi me opozitën, që përfitoj nga rasti me thirrjen që ne ta shfrytëzojmë këtë moment për të eksploruar çdo mundësi mirëkuptimi dhe për të dalë me një zgjedhje të mirëkuptuar mes palëve të prokurorit të përkohshëm. Ne e kemi qartësisht mundësinë dhe të drejtën që ta zgjedhim prokurorin e përkohshëm me shumicën që kemi në dispozicion, por ashtu siç kishim mundësinë dhe të drejtën të hynim në zgjedhje pa i shtrirë dorën në mënyrë të vazhdueshme opozitës, dhe nuk e shfrytëzuam atë mundësi dhe të drejtë në emër të diçkaje më të madhe që është interesi kombëtar dhe publik, sot përsëri ne jemi shumica që e shikon këtë çështje jo me syrin e momentit, jo me qëllime të tjera përpos qëllimit strategjik të vendit tonë që është në radhë të parë i materializuar në çeljen e negociatave me BE. Për këtë arsye besoj se është një moment që nëse ka vullnet dhe largpamësi, ne mund ta shfrytëzojmë si pikënisjen e një procesi ndërveprimi dhe bashkëpunimi për të garantuar se Shqipëria, do të bëjnë për Shqipërinë gjithçka që kanë në dorë në funksion të çeljes së negociatave për në BE. Jemi më afër se asnjëherë, po deri në sekondën e fundit ne do të bëjm progres dhe çdo gjë që kemi në dorë për të mos i dhënë askujt asnjë alibi , asnjë justifikim, asnjë arsye që të ngurojë të ngreje dorën për të miratuar çeljen e negociatave”, tha Rama.
Ulsi Manja, kreu i komisionit të ligjeve, informoi më herët për procedurat e ndjekura kryeministrin dhe deputetët, dhe tha se afati për paraqitjen e kandidaturave nga radhët e prokurorëve skadon në orën 18.00 të 12 dhjetorit, pra të martën.
Rama ndërkohë informoi deputetët dhe për takimet që pati në Bruksel. “6-mujori i parë i vitit që po hyn do të jetë vendimtar për këtë vendim historik që i jep vendin tonë mundësinë të futet në një korsi të re në rrugën e anëtarësimit në BE. Ne morëm vlerësime shumë inkurajuese, lidhur me ecurinë e vendit tonë në të pesë drejtimet e përcaktuara nga Komisioni Europian si prioritete kyçe për Shqipërinë. Pa diskutim që edhe fillimi i procesit të vettingut me krijimin e institucioneve që do të kryejnë vettingun dhe nisja e zbatimit të ligjit të vettingut, janë një kusht tanimë i plotësuar që në ecurinë e muajve në vijim do japin pa dyshim rezultatet e para të nevojshme për të shtyrë jo vetëm zbatimin e reformës historike në drejtësi po dhe vendeve anëtarë të BE drejt një vendimmarrje pozitive”, tha Rama.
Top Channel