Llalla rri, por jo kryeprokuror; Maks Haxhia dhe Çlirim Gjata shpjegojnë çfarë ndodh nga sot

08/12/2017 19:35

Maks Haxhia, Prokuror i Përgjithshëm dikur, sot kryetar i Dhomës kombëtare të avokatisë, thotë se juridikisht Shqipëria nuk ka Prokuror të Përgjithshëm.

“Juridikisht sot Shqipëria është pa Prokuror të Përgjithshëm. Kjo bën që ky institucion të mbetet i bllokuar në aspektin administrativ. Kjo tregon edhe njëherë sa i gabuar ishte veprimi politik i disa viteve më parë që vendosi të hiqte zv/Kryeprokurorin. Nëse sot do të kishim zv/Prokuror të Përgjithshëm, nuk do të ishim në këtë situatë”, u shpreh Maks Haxhia.

Atëherë çfarë bën Adriatik Llalla pas datës 7 dhjetor, ditë në të cilën Kuvendi i konstaton fundin mandatit të tij? Juristi Çlirim Gjata thotë se Llalla qëndron në detyrë, derisa të zgjidhet kryeprokurori tjetër.

“Është parimi i vazhdimësisë. Do të rri në detyrë derisa të vijë tjetri. Nuk mund të iki ai, se ndryshe bien institucionet. Si do të drejtohet shtetit? Me Kryeministër, me ministra?! Gjithë gjyqtarët, edhe prokurori do vazhdojë sa të vij një, pastaj është histori tjetër, qoftë i përkohshëm, qoftë i përhershëm. Por ajo që mund të themi ne sot është kush e ka thënë që i mbaron mandati sot? Do të numërojmë nga 1 në 5? Jo. Sesi i mbaron mandati e ka vetëm Kushtetuta. Vetëm me vendim të KLP deklarohet mbarimi. Askush nuk është kompetent”, thotë ai.

Dhe duke qëndruar në detyrë ai ushtron funksionet e prokurorit deri sa t’i bëjë dorëzimet tek pasuesi. Madje nëse nuk e bënë këtë, Gjata thotë se Llalla do të ndiqej penalisht për “shpërdorim detyre”.

“Gjëja me banale. Si do të marrin rrogën ata derisa të mblidhet Parlamenti me këtë gjeni Kushtetute që ka bërë, me tërë këto procedura kushtetuese, të zgjedh tjetrin, s’ka rëndësi i përkohshëm, apo i përhershëm që ta zëvendësojë. Nuk është ky problemi kryesor. Problemi kryesor është a jemi të aftë ne, a kemi predispozita kushtetuese për të ngritur institucione kushtetuese? Unë mendoj që po. Mirë, keq, këto që janë. A kemi vullnet politik për ta zbatuar këtë Kushtetutë si është, apo vullnet politik për ta shkelur dhe për të plotësuar interesat tona politike? Kjo është ajo që duhet të diskutohet. Por që do të rri Adriatik Llalla si person si Prokuror i Përgjithshëm, absolutisht. Në rast se nuk shkon, atëherë do të bënte “shpërdorim detyre”, shton Gjata.

Ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili konfirmoi vazhdimin e ushtrimit të funksioneve nga KLD deri në zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, dhe për juristët ky vendim vlen dhe në rastin kryeprokurorit.

Si do të jetë zgjidhja e ngërçit? “Kuptohet këtu nuk ka zgjidhje të pastër juridike”. thekson Maks Haxhia.

Kryetari i Dhomës së Avokatisë thotë se i duhet dhënë fund zgjidhjeve politike në tavolinë për çështjet e drejtësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA