Messit “i mungojnë” 46 euro në minutë, të arrijë pagën minimale mujore në Shqipëri

07/12/2017 10:29

Kur detajet stratosferike të kontratës së re të Lionel Messit me Barcelonën u publikuan pak ditë më parë nga e përditshmja spanjolle “El Mundo”, shifrat përbënin një sensacion.

Kontrata e nënshkruar në nëntor, pas spekulimeve disamujore mbi të ardhmen e tij, ndoshta edhe për shkak të krizës politike në Katalonjë më shumë sesa për negociatat financiare, do ta mbajë “pleshtin” të lidhur me ekipin “blaugrana” deri në vitin 2021, me opsion për një tjetër vit.

Asokohe të bënte përshtypje se, Messit iu dhanë 100 milionë euro kompensim për shkak të problemeve që i lindën pas dënimit nga gjykatat spanjolle për evazion fiskal. Përveç kësaj, ai do të fitojë edhe 70 milionë euro në vit nga paga, por privilegji më i madh është menaxhimi ekskluziv prej tij i të drejtave të imazhit.

Kostoja totale që do të përballohet nga Barcelona është 450 milionë euro, ndërsa Messi do të paguhet kështu 70% më shumë sesa kontrata aktuale e Cristiano Ronaldos me Realin e Madridit, por vetëm 4 milionë euro në vit më pak sesa sheikët e Paris SG paguajnë brazilianin Neymar.

Në një klasifikim momental, Messi lë pas disa sportistë të famshëm të botës nga sporte të ndryshme, si Stephen Curry që fiton 40.5 milionë euro në vit, apo edhe Fernando Alonso që merr plot 37.7 milionë euro në vit.

Por sa fiton Messi në muaj, në ditë, në orë, minutë e madje edhe sekondë?

Me shifrat e publikuara përllogaritet që ylli argjentinas të sigurojë 2.2 euro në sekondë, apo 133 euro në minutë, një shifër që është vetëm 46 euro më pak sesa paga minimale e një punonjësi shqiptar sipas ligjeve shqiptare në fuqi (24.000 lekë në muaj).

Një orë “punë” për Messin i siguron atij 8.035 euro të ardhura, ndërsa një ditë “punë” rreth 193 mijë euro. I duhet vetëm pak më shumë “sforco”, që argjentinasi të sigurojë 1.35 milionë euro në javë, ose 5.8 milionë euro në muaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA