E dielë me derbi në Angli

07/12/2017 19:08

E diela e futbollit anglez këtë fundjavë meriton të quhet me të drejtë një nga ato “Supersunday” që mbërthen tifozët e sportit më popullor në planet para ekranit të vogël.

Premier League dhuron dy ndeshje të zjarrta derbi që kalojnë kufijtë e ishullit britanik, atë të qytetit të Mançesterit mes dy kryesuesve të kampionatit si dhe përballjen mes Liverpulit dhe Evertonit.

Në impiantin “Old Trafford” do të nisë gjithçka 0-0, por ka një diferencë të theksuar në renditje që vendos “Djajtë e Kuq” në presion në krahasim me armatën e “Citizens”. Këta të fundit kryesojnë me 43 pikë, ndërsa United ka 8 pikë më pak. Edhe golaverazhi flet në favor të miqve, me 46 rrjeta të shënuara krahasuar me 35 të “Djajve të Kuq”. Derbi i Mançesterit është regjistruar 40 herë në epokën e Premier League, me një mesatare prej 2.8 golash në çdo ndeshje.

Tifozët e interesuar në gola dhe spektakël do të fokusohen pikërisht në këtë derbi për shkak të yjeve të paguar me miliona në muaj, por gjithashtu për rivalitetin e hershëm mes dy trajnerëve respektivë, Mourinho dhe Guardiola.

Liverpuli dhe Evertoni janë protagonistët e një historie të ngjashme dhe të denjë për ligën më të fortë në botë. Reds dhe rivalët e Toffees janë përballur 50 herë që kur kampionati mori emrin Premier League, me 115 gola në total. Edhe pse quhet Derbi i Miqësisë, ka patur në të kaluarën 21 kartona të kuq dhe 200 të verdhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA