Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ftuar komunitetin arbëresh të investojë në Tiranë.
Gjatë qëndrimit në Itali, kryebashkiaku i Tiranës, i shoqëruar edhe nga Presidenti i Rajonit të Abruzzos, Luciano D’Alfonso, zhvilloi edhe një vizitë në komunitetin arbëresh që jeton aty. Ai vizitoi panairin e prodhimeve dhe artizanëve të arbëreshëve të zonës, ndërsa theksoi se komuniteti arbëresh është një urë lidhëse shumë e fuqishme për miqësinë që ekziston mes Italisë dhe Shqipërisë. “Besoj se ekzistenca e komunitetit arbëresh është edhe një kompliment i madh për Abruzzon dhe Italinë. Shqiptarët ndodhen kudo, por jo në çdo vend kanë gjetur një derë të hapur dhe një komunitet mikpritës si këtu. Mendoj që është një kompliment për Italinë që konsiderohet një vend me mendje dhe zemër të hapur. Besoj se komuniteti arbëresh i bën nder të dy popujve, kanë marrë më të mirën e Shqipërisë, me më të mirën e Italisë dhe kanë ndërtuar një komunitet që është një shembull i shkëlqyer”, theksoi ai.
Kryebashkiaku Veliaj bëri një paraqitje të Tiranës gjatë periudhës së tranzicionit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë te punët dhe zhvillimi që ka pësuar kryeqyteti shqiptar në dy vitet e fundit.
“Kemi vendosur të mos përsërisim gabimet e së kaluarës. Pra, të mos mjaftohemi thjesht duke u dhënë zgjidhje emergjencave të momentit, por duke investuar tek e ardhmja. Kemi vendosur të ndërtojmë një model zhvillimi të qëndrueshëm për qytetin; të përballemi me nevojat e së tashmes, pa rrezikuar nevojat e së ardhmes; të mos veprojmë duke menduar sikur nuk ka një të ardhme pas mbarimit të mandatit tonë, por të investojmë për Tiranën e brezave që vijnë”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës gjatë fjalës së tij në Universitetin .
Ndërkaq, kryetari Veliaj dhe Presidenti i Rajonit të Abruzzos, D’Alfonso mbollën edhe një pemë në shenjë miqësie dhe bashkëpunimi në Piazza Italia.
Top Channel