Në një intervistë ekskluzive për Agjencinë turke “Anadolu”, kryeministri grek Alexis Tsipras e ka përshkruar vizitën e parë të një presidenti turk pas 65 vitesh në Athinë, si “një shans për të ndërmarrë hapa të mëdhenj përpara”.
I pyetur për tetë ushtarakët turq që u arratisën dhe kërkuan azil politik në Greqi dhe që akuzohen për përfshirje në tentativën e grushtit të shtetit, Tsipras ka theksuar se nuk mund të komentojë vendimet e gjyqësorit, por ka shtuar se puçistët nuk janë të mirëpritur në Greqi.
Sipas tij, në agjendën e bisedimeve gjatë vizitës së zotit Erdogan në Athinë, do jenë në radhë të parë marrëveshja BE-Turqi për emigracionin, marrëdhëniet dypalëshe të bazuara në respektimin e së drejtës ndërkombëtare, që rrjedh nga traktati i Lozanës, bashkëpunimi ekonomik si dhe çështja e Qipros.
“Të sigurohemi se Egjeu dhe Mesdheu janë detet e paqes dhe dialogut, dhe jo të tensionit apo konfrontimit”, ka thënë ai. I pyetur për rritjen e ekstremizmit të djathtë në Europë dhe pozicionimin e Gjermanisë, Austrisë dhe Holandës para referendumit në Turqi, për ngrirjen e negociatave BE-Turqi, Tsipras ka thënë se reagimi më i mirë ndaj forcave raciste dhe islamofobe ka ardhur nga populli grek dhe ai turk gjatë krizës së refugjatëve, ku treguan solidaritetin dhe mikpritjen e tyre.
Athina beson fuqimisht se procesi i negocimit BE–Turqi kontribuon në ruajtjen dhe promovimin e reformave thelbësore demokratike dhe marrëdhënieve te fqinjësisë së mire, theksoi kryeministri grek. Jetojmë pranë e pranë. Mbështesim demokracinë tek vendi fqinj dhe një Turqi që shikon drejt Europës.
BE duhet të jetë e qartë në qëndrimet dhe angazhimet e saj dhe Turqia duhet të gjejë rrugën e saj në këtë drejtim, pas një periudhe shumë sfiduese, u shpreh kryeministri Tsipras.
Top Channel