Të paktën 350 banorë të fshatit Vanë në Delvinë janë izoluar mes dy brigjeve të lumit të Kalasës pas shembjes së urës që lidh këtë fshat me rrugën kryesore.
Ura fillimisht u përmbyt nga prurjet e lumit gjatë reshjeve të fundit dhe më pas u shemb, duke ndërprerë komunikimin. Ata që duhet të zgjidhin situata emergjente kalojnë në këmbë lumin, ndërsa më të moshuarit e kanë të pamundur lëvizjen.
Bashkia e Delvinës është duke u përpjekur që të realizojë një zgjidhje provizore vetëm për këmbësorët.
Në të gjthë Bashkinë e Delvinës bilanci i dëmeve është i më i larti që reshjet kanë shkaktuar ndonjëherë përgjatë 5 dekadave të fundit.
Përrenjtë malorë të Gurrës dhe Gutinës kanë vërshuar në luginë dhe rrugë duke shkatërruar 2 ura të tjera kryesore për komunikimin mes Kalasës dhe Tatzatit.
Në të gjithë bashkinë e Delvinës rreth 2500 banorë gjenden ende të prekur direkt nga përmbytjet, shembjet e urave, shkatërrimi i rrugëve rurale dhe kufizimi i komunikimit me rrugët kryesore.
Lumi i Kalasës shkatërroi me gërryerje rreth 12 ha tokë bujqësore ndërsa rrezikohen edhe 100 ha të tjerë nëse nuk do të disiplinohet shtrati i tij.
Top Channel