Pas mbylljes së Gjykatës së Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, vendet e Ballkanit duhet të përballen me të kaluarën e tyre. Kështu mendon Wolfgang Petritsch, ish-përfaqësues i lartë për Bosnje-Hercegovinën.
Edhe pse i konsideron të pafalshme gabimet në masat e sigurisë, që çuan në vetëvrasjen e kriminelit të luftës, Slobodan Praljak, eksperti thotë për “Deutsche Welle”-n se Gjykata e Hagës bëri një punë të mirë për zbardhjen e krimeve në ish-Jugosllavi.
Sipas politikanit socialdemokrat austriak, rajoni duhet të punojë tani për pajtimin. Petritsch mendon se, pas përfundimit të punës së gjykatës ndërkombëtare, duhet që të forcohen ligji dhe gjykatat në nivel kombëtar.
Detyra e tyre duhet të jetë jo vetëm luftimi i korrupsionit, por edhe vazhdimi i proceseve për krime lufte.
Përballja me të kaluarën, sipas tij, duhet të bëhet nga të gjithë, pavarësisht nëse ata e shohin veten në rolin e viktimës, apo konsiderohen si kriminelë.
Sa u përket pretendimeve të disa politikanëve për të ndryshuar kufijtë ekzistues, Petritsch thotë se vënia në diskutim e kufijve do të shkaktojë tragjedi të reja. Ai shton se, bashkëpunimi me Europën duhet të jetë prioritet absolut, sidomos për serbët, “sepse vetëm në një Europë të bashkuar ata mund të jenë të bashkuar”.
“Një bashkim multientik si ish-Jugosllavia nuk mund të krijohet më. Efektet pozitive mund të arrihen vetëm në një Europë më të madhe, e ky vizion duhet të rrënjoset më thellë në zemrat dhe mendjet e njerëzve”, thotë Petritsch për “Deutsche Welle”-n.
Top Channel