Tre të rinj të cilët po udhëtonin me automjetin e tyre përgjatë rrugës së fshatit Golik janë aksidentuar pasi një masiv shkëmbor është shkëputur duke goditur mjetin e tyre. Edhe pse fatmirësisht nuk janë rregjistruar viktima situata duket alarmante në këtë zonë.
Punimet për ndërtimin e rrugës Qafë Plloçë- Qukës në mungesë të plotë të sinjalistikës dhe elementeve të sigurisë duket se janë bërë shkak për aksidentin. Drejtuesi i mjetit Xhenis Kapri mbrëmjen e së hënës ishte duke lëvizur me automjetin e tij së bashku me dy shokë kur është goditur nga shkëmbi. Masivi shkëmbor ka goditur pjesën anësore të mjetit në të cilin ishin ulur edhe pasagjerët Ergys dhe Endri Kapri duke u shkaktuar disa dëmtime të lehta ndërsa kanë pasur vështirësi për të dalë nga mjeti.
Sipas tij prej kohësh banorët e Golikut në Proptisht të Pogradecit janë të ekspozuar përballë rrezikut që vjen çdo ditë nga punimet për ndërtimin e rrugës
“Siç e shihni guri është mbi një ton i rëndë, po të na kishte rënë përsipër… se di, Zoti i madh na ka shpëtuar. Toka është me gurë, gur lart, gur poshtë, nga momentin në moment mund të bjerë. Kur ika përpjetë nuk kishte gur, kur erdha urdhëro si është vendi”,rrëfen Xhenis Kapri.
Prej mëse një viti përgjatë këtij segmenti janë duke u zbatuar punimet e projektit për ndërtimin e rrugës Qafë Pllocë – Qukës por nuk ka asnjë sinjalistikë paralajmëruese për punimet që janë duke u kryer ndërkohë që lëvizja gjatë natës bëhet edhe më e vështirë si pasojë e errësirës së plotë ndërsa fenomeni i rrënies së shkëmbinjve është bërë i zakonshëm për banorët.
Top Channel