Inxhinieri hidroteknik, Fitim Ballo teksa bën thirrje në emisionin “Top Story” se argjinaturat e lumenjve, të cilat janë ndërtuar shumë vite përpara, duhet të rikonstruktohen dhe të mirëmbahen apelon edhe për faktin ato nuk mund të bëhen me projekte të para 50 vitesh.
“Argjinaturat janë ndërtuar shumë vite përpara. Ato duhet të rikonstruktohen dhe të mirëmbahen, por ama nuk bëhen projektet siç janë bërë 50 vjet përpara. Sot është tjetër situatë dhe ka ndryshuar, sepse kanë ndryshuar koeficientët e rrjedhës, janë rritur zonat e banuara. Masa drastike që të mos ndodhin më përmbytje nuk ka. Se ti do ta bësh për një herë në 5 vjet apo 10 vjet, por do të vijë prurja e njëherë në 50 vjet, 100 vjet, 1000 vjet, por ne duhet të marrim masa per prurje të zakonshme. Jo vetëm Vjosa, por gjithë lumenjtë e Shqipërisë nuk duhet të qëndrojnë me projektet e 50-60 viteve përpara”, deklaron Fitim Ballo.
Më tej ai vë në dukje cilësinë e dobët të punimeve. “Nuk mund të ndërtohen më vepra bonifikimi me betone me 50 mijë lekë të vjetra metër kubi. Duhet hequr dorë nga çmimi më i ulet, çmimi më i ulët për mendimin tim është korrupsion, mungesë cilësie. Mund të bësh vepra me çmim më të ulët, por jo në hidroteknikë. Nuk lejohet në hidroteknikë në të gjithë bote, që të përdorësh beton me më pak se 250, por s’mund të bësh më pas veshjen e kanaleve me beton 100 apo 50, kur 50 mijë lekë për meter kub bënë vetëm çimentoja”, shprehet ai.
Ballo bën me faj edhe banorët dhe bashkitë që kanë lejuar ndërtimin e banesave në zona me rrezikshmëri përmbytjeje.
“Faji i banorëve është që kanë ndërtuar, duhet t’i ndërtojnë të paktën që të mbrohen nga një nivel në 1-1.5 m. Është faji edhe i Bashkive, edhe i institucioneve që japin lejet e ndërtimit të tyre. Të mos miratohen lejet e ndërtimit të shtëpive, të fshatrave, kur dihet niveli i ujit kur del dhe sa arrin”, vë në dukje Ballo.
I pyetur nëse ndërtimi i hidrocentraleve në lumin Vjosë, e rrit apo e ul rrezikun për përmbytje, Ballo u përgjigj: “Ndikon në përmbytje, sepse hidrocentrali bënë prerje të plotë. Mund të ketë raste që hapen portat, por ato hapen të kontrolluara. Hidrocentrali benë akumulimin e ujit. Ndikon në pjesën e poshtme. Ndodh që ai mund të dali, ndodh njëherë në 50 apo 100 vjet, por janë raste shumë shumë të rralla. Unë do të thoja që ndikon, por duhet kombinuar ndërtimi i veprës hidroenergjetike me masat mbrojtëse të sistemit të lumit”.
Top Channel