Qeveria greke ka bërë me dije se presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan do të vizitojë Athinën pas ftesës se homologut te tij grek në datat 7 dhe 8 dhjetor.
Ai do të takojë presidentin grek Pavlopoulos si dhe kryeministrin Tsipras me tema kryesore në axhendën e bisedimeve, sipas qeverisë greke, krizën migratore, sigurinë në rajon, bashkëpunimin ekonomik, marrëdhëniet BE-Turqi si dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Por sipas mediave turke bisedime do të ketë edhe për çështjen e azilit që u është dhënë tetë ushtarakëve turq të arratisur në Greqi pas grushtit të dështuar të shtetit si dhe për çështjen qipriote.
Presidenti turk shoqërohet nga zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, si dhe nga nga 11 drejtorë të mediave turke bashkë me 46 gazetarë.
Athina vlerëson se dialogu me Ankaranë në një moment kur marrëdhëniet turko-greke vazhdojnë të jenë të vështira, do të ketë një anë pozitive për të përmirësuar klimën midis dy vendeve si dhe për sigurinë në rajon, ndaj kërkon të mbajë të hapur një kanal komunikimi me palën turke.
Nga ana tjetër ka edhe zëra kritike përsa i përket takimeve të kryeministrit Tsipras gjatë qeverisjes së tij me udhëheqës që për shumë analistë konsiderohen kontraversiale.
Përmendet takimi me Putin në momentet kur diskutohej Grexit në 2015, me Trump pas vizitës së tij në vendet arabe dhe kryesisht në Arabinë Saudite, si dhe tani me Erdogan pas zhvillimeve në Siri,ndërkohë që edhe për shumë europianë lideri turk shihet me sy kritik dhe aq me tepër marrëdhëniet Ankara-Berlini janë të tensionuara.
Por për Athinën, siç thekson edhe Kathimerini, Turqia përveç se një fqinj që shpeshherë shkel hapësirat ajrore të saj, zotëron 38% të ishullit të Qipros dhe mban çelësin e valës migratore, është një faktor kryesor i paqes ose trazirave nga Lindja e Mesme deri në Ballkan.
Erdogan që do të jetë presidenti i parë që viziton Greqinë pas presidentit Xhelal Bajar , 65 vite më parë, ka vizituar Athinën si kryeministër , në vitet 2003 dhe 2004.
Top Channel