Një shtetas i huaj, për të cilin burime pranë policisë greke thonë se është serb, u arrestua mëngjesin e së dielës në lagjen Varkiza të kryeqytetit helen, pasi në banesën e tij u gjetën 135 kilogram kokainë.
Sipas burimeve policore, aksioni i anti drogës,u zhvillua në Varkiza, mbas informacioneve të DEA-s amerikane se në vilën luksoze të marrë me qira prej shtetasit serb, gjendej sasi e madhe kokaine.
Prej hetimeve rezultoi se përveç lëndës narkotike prej 135 kg kokainë e pastër, në banesë ndodheshin edhe 6000 euro.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua edhe një kompjuter, si dhe një agjendë e koduar me emrat dhe telefonat e porositësve të drogës dhe furnizuesve të saj.
Policia greke thotë se arrestimi i të dielës në Athinë, është pjesë e një operacioni për shkatërrimin e një organizate të madhe të trafikut të kokainës në Europë.
Operacione të ngjashme po zhvillohen e dhe në vende të tjera, por deri në këtë moment nuk ka detaje për natyrën dhe vendet që ato po zhvillohen.
Top Channel