Shtëpitë e lagjes ‘Bakushe Visha’ në qendër të qytetit të Fushë Krujës, janë shumë pranë lumit Zezë, i cili edhe këtë vit, shkaktoi përmbytje tek të gjithë banorët.
Për Mariana Ndocin e gjithë kjo situatë e ditëve të fundit është një déjà vu, prej vitit 2002, kur ajo së bashku me dy djemtë e saj, erdhi nga Laçi dhe u vendos në shtëpinë që ka aktualisht.
“I kemi ngritur plaçkat, fëmijët dhe u kam thënë të largoheni nga shtëpia. Unë për vetë kam ndejtur këtu deri në orën 10.00. Deri në atë orë uji ka qënë deri në gjysëm metri brenda në shtëpi. Atëherë kam marrë një qen,kafshë shtëpiake që e kam si rrob shtëpie dhe atë që më vjen shumë keq. E kam marrë në shtëpi dhe kam shkuar te një komshiue dhe i kam thënë aman derman më hap derën se po mbytemi”, rrëfen Mariana.
46-vjecarja e cila ka 15 vite e divorcuar, është i vetmi krahë pune në shtëpi, ajo punon në kuzhinë, dhe çdo post përmbytje i rrëmben edhe kursimet e pakta, për orenditë shtepiake të prishura.
“Unë nuk i blej të reja se nuk kam lekë të blej të reja, shkoj te gjërat e vjetra dhe për çvdo vit mar nga një komplet. Punoj tërë verën, për tu mbytur në vjeshtë”, vijon Marjana.
Fillimisht shtëpinë e mori me qira, dhe pas 10 vitesh e bleu. Megjithëse kishte përjetuar njëra pas tjetrës përmbytjet, çmimi i lirë që dispononte shtëpia, bëri që Mariana ta blinte.
“Unë kam blerë një shtëpi në qendër të qytetit,një shtëpi prej 40 viteve që është ndërtuar është me një kosto të ulët”, thotë ajo.
Mariana rrëfen se nuk ka marrë asnjë subvencion nga shteti, pavarësisht këmbënguljes së saj duke trokitur nëpër dyert e institucioneve.
“Edhe pse jam ankuar, kam bërë zhurmë, domethënë të bëj zhurmë kot, kam shkuar atje duke u përmbytur,kanë marrë të tjerët, kanë marrë ata që nuk u ka takuar”, thotë 46-vjeçarja.
E vetme ajo përpiqet të besojë, se e gjitha kjo do kalojë, sepse nuk ka një zgjidhje tjetër se ku mund të shkojë. Lumi Zezë, që përshkon qytetin e Fushë Krujës, duket si një mallkim për banorët, të cilët janë lodhur duke pritur çdo fundvit përmbytje.
Top Channel