Turbullohet Bovilla, Veliaj: Më e keqja kaloi

01/12/2017 20:36

Një pjesë e Tiranës është pa ujë. Reshjet e një nate më parë kanë turbulluar ujëmbledhësin e Bovillës, kurse impianti i filtrimit të ujit nuk funksionon.

Sipas ujësjellësit të Tiranës, zonat që do ta ndjejnë kufizimin e furnzimit me ujë janë që nga Kinostudio e deri në Yzberish. Për shkak të përmbytjes së nënstacionit elektrik të Kasharit, stacionet e pompimit në Laknas, Bërxullë dhe autostradë kanë dalë jashtë funksionit si pasojë e mungesës së energjisë elektrike.

“Derisa të stabilizohet ai nënstacion, që të furnizojë depot me energji, që pastaj mund të pompojnë ujin, do të kemi problematike në rrjetin e ujit të pijshëm. U kërkoj të gjithë qytetarëve që ta përdorin me kursim ujin e pijshëm, duke qenë se jemi në një situatë problematike në orët e ardhshme”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Ujësjellësi i Tiranës po garanton ujë në mënyrë të pandërprerë për spitalet, duke vënë në dispozicion autobote. Por uji i pijshëm nuk është i vetmi problem në kryeqytet.

“Kemi disa problematika ende sidomos në zona periferike, siç është kjo zonë në Kombinat, Rr. “Shaban Bardhoshi”. Siç e shikoni, jo vetëm që është ndërtuar në rrëzë, në mënyrë informale, por pjesa më e madhe e pastrimit që ndodh në kanale ka të bëjë me qese plastike, shishe plastike, me gota, tasa, kolltukë, divane: kjo nuk shkon. . Kemi disa problematika në disa fshatra, sidomos në zonën e Pezës, disa ura që lidhin kodrat prej shtufi kanë pasur shembje. Kemi vendosur sinjalistikë, u kërkojmë banorëve të shmangin udhëtimet në këto zona rurale dhe në disa fshatra të thella të Zall-Bastarit”, vijoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkon edhe ndihmën e homologëve të vet të Vorës dhe Kamzës.

“Nuk mjafton që të pastrojmë vetëm ne në Tiranë, sepse në qoftë se nuk pastrohet edhe kanali në Vorë, edhe kanali në Kamëz, atëherë sigurisht krijohet një efekt tapë dhe shumë prej problemeve që ju patë në zonën kufitare mes Vorës dhe Tiranës, në disa akse në qendrat tregtare, apo edhe në anën tjetër të bregut të lumit, kërkon pak ndihmë edhe nga bashkitë fqinje. Rrjetet e ujit i kemi të përbashkëta, do të thotë që çfarë del në Tiranë duhet të kullojë në Vorë dhe në Kamzë, kështu i ftoj edhe kolegët e bashkive të tjera që edhe ata të jenë në krye të detyrës, të ndihmojnë me këtë pastrim, në të kundërt i gjithë intensiteti i punës që kemi në Tiranë shkon dëm”, u shpreh ai.

Por kryabashkiaku i Vorës, Fiqiri Ismaili tha se Bashkia e Vorës është në krye të detyrës dhe fajësoi Bashkinë e Tiranës për përmbytjet në autostradë.

“Reshjet e mëdha të shiut, që kanë shkaktuar përmbytje në autostradën nuk është asnjë detyrim i Bashkisë së Vorës. Bashkia e Vorës është në krye të detyrës. Në lidhje më përmbytje që kanë ndodhur nga Qafa e Kasharit në pjesën tjetër, kanë ardhur si arsye e bllokimit të kanaleve që administrohen nga Bashkia e Tiranës. Ato kanale të mos zihen me palma, por të jenë të pastruara dhe uji të shkojë në pjesën e vet”, deklaroi kreu i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA