Prej orëve të para të ditës së enjte, vendi ynë u përfshi nga një stuhi reshjesh të dendura, që kanë shkaktuar përmbytje në një pjesë të madhe të territorit.

Reshjet e dendura të shiu rrezikuan jetën e 10 persona në zonën e Valiasit, në Tiranë. Forcat e Armatosura të ushtrisë, u erdhën atyre në ndihmë, duke i evakuuar dhe siç njofton Ministria e Mbrojtjes, ata u strehuan në qendrën shëndetësore të Komandës së Zall Herrit, ku po u jepet edhe ndihma e nevojshme.

Më herët gjatë të enjtes, si pasojë e stuhisë që përshfiu Fierin, një elektriçist humbi jetën nga kontakti me rrymën. Edhe pse kolegët e dërguan 50-vjeçarin Sabri Vriga në spital, ai nuk arriti të mbijetojë.

Në Shkodër tre punonjës të OSHEE u plagosen nga shpërthimi i një automati, në nënstacionin e qytetit, ku kishin shkuar për të rregulluar defektin që kishte lënë qytetin pa energji. Të plagosurit u transportuan në Tiranë për trajtim më të specializuar, ndërsa aty mbërritën edhe ministrat Gjiknuri dhe Manastirliu, por edhe drejtori i OSHEE-së, Ardian Çelaj.

Ndërkohë në këtë qark janë raportuar reshje me intensitet më të ulët, ndërsa probleme janë evidentuar vetëm në zonën e Anës së Malit, ku janë përmbytur disa parcela.

Si pasojë e reshjeve, u përmbytën edhe akset nacionale. Kështu, autostrada Tiranë-Durrës u bllokua pasdite për shkak se niveli i ujit shkoi deri në lartësinë e trafik-ndarëses. Për këtë arsye, policia devijoi trafikun në rrugët dytësore. Shumë mjete mbetën të bllokuara në rrugë, ndërsa niveli i ujit rritet. U desh ndërhyrja e Forcave të Armatosura, për zhbllokimin e rrugës. Edhe rruga drejt Rinasit pati probleme me trafikun, ndërsa autoritetet e aeroportit raportuan anulimin e fluturimeve, por edhe të mbërritjeve, për shkak të ujit të shumtë në pistë.

Disa biznese në zonë janë përmbytur. Edhe në Tiranë ka probleme me banesat e ulëta, ndërsa për shkak të shikueshmërisë së ulët, ndodhi edhe ky aksident në Unazën e Re në Tirane, por pa viktima. Durrësi, Tirana dhe Lezha mbetën në mbrëmje pa energji. Dhjetëra persona mbetën të bllokuar në një qendër tregtare, në orët e mbrëmjes.

Të vetmet automjete që kalojnë në rrugët dytësore Tiranë-Durrës janë makinat ushtarake dhe karoatrecët, pasi autostrada është e pakalueshme. Por edhe në këtë segment ka zona ku uji është mbi 1 metër.

Rruga e Kombit, në zonën e Milotit është bllokuar për një kohë të gjatë dhe sipas drejtuesve të automjeteve, ndodhi edhe një aksident me pasojë tre të lënduar. Ministria e Arsimit urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave, kopshteve dhe çerdheve gjatë ditës së premte, ndërsa këshillohet që të evitohen udhëtimet edhe në zonat malore, ku rreziku vjen nga përrenjtë malorë.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA