Nisur nga situata e rënduar si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë gjatë ditëve të fundit dhe ditëve në vazhdim të fillim muajit dhjetor, Ministria e Brendshme ju bën thirrje qytetarëve të evitojnë lëvizjet e panevojshme të këmbësorëve dhe qarkullimin e mjeteve në akset rrugore që paraqesin rrezik nga përmbytjet.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Brendshme
Ministria e Brendshme dhe të gjithë strukturat të cilat po punojnë për ta menaxhuar këtë situatë në terren kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve dhe bashkëpunim e tyre.
Ministria e Brendshme do të njoftojë qytetarët për zonat dhe akset rrugore që paraqesin problematike me përmbytjet dhe kërkon prej tyre angazhim për të përballuar sëbashku me solidaritet këto ditë të vështira me reshje.
Në bazë të parashikimeve të motit, në orët dhe ditët në vijim pritet një situatë e rënduar e reshjeve të shiut, të cilat mund të kalojnë nivelet normale.
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave ju bën thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë kësaj situate duke pasur vëmendje sidomos në këto drejtime:
• Kujdesi për jetën mbetet prioriteti i dorës së parë. Të gjithë duhet të shmangin sa më shumë të jetë e mundur udhëtimet në zonat e prekura nga reshjet, qëndrimin në afërsi të lumenjve e përrenjve, qëndrimin afër shtyllave apo objekteve të tjera të larta që mund të goditen nga shkarkesat elektrike etj.
• Qytetarët që banojnë shumë pranë shtretërve të lumenjve, në afërsi të digave apo në zona që historikisht rrezikojnë përmbytje, duket të shtojnë kujdesin për jetën dhe të jenë në gatishmëri për të bashkëpunuar me strukturat e emergjencave civile në rast të nevojës për evakuim të përkohshëm.
• Kërkohet të shmangen në maksimum udhëtimet në këmbë apo me automjete në zonat e prekura apo me rrezik të prekjes nga përmbytjet. Një rrymë uji rreth me thellësi rreth 20 centimetra mund të rrëzojë një kalimtar, ndërkohë që një rrymë më thellësi prej 30 centimetrash mund të rrëmbejë automjetin tuaj gjatë udhëtimit.
• Duhet të shmangen në maksimum kalimet në urat e lumenjve me prurje të shtuar dhe rryma të fuqishme.
• Në situata rrymash të parapritura, duhet të kërkoni më shpejtësi një vend të lartë për t’u ruajtur.
• Në se niveli i ujit në afërsi të automjetit tuaj rritet, por nuk lëviz, duhet të lini automjetin për të gjetur një vend më të lartë. Por, mos e braktisini automjetin për t’u futur në një rrymë të fortë uji.
• Shmangni parkimin e automjetit në afërsi të lumenjve apo përrenjve gjatë reshjeve të rënda, pasi ato mund të përmbyten shumë shpejt.
• Shmangni qëndrimin apo parkimin në rrugët që janë në buzë të lumenjve. Shpesh herë ujërat mund të gërryejnë bazamentin e rrugës, duke e bërë atë të rrezikshme.
• Mbani të hapur radion apo televizorin për të marrë njoftimet që mund të jepen nga autoritetet kompetente.
• Mbani në gatishmëri mjete e komunikimit, sidomos telefonat celularë, duke siguruar gatishmërinë e baterive.
• Mbani në gatishmëri mjete të ndihmës së shpejtë, medikamente të domosdoshme, mjete ndriçimi etj.
• Futini në mjedise të mbyllura orenditë apo mjete të tjera që zakonisht i mbani jashtë. Mundësisht vendosini orenditë në pika të larta brenda shtëpisë për të parandaluar dëmtimin gjatë përmbytjeve.
• Shkëputni sa më shumë pajisje elektrike nga rrjeti dhe mos i prekni ato nëse janë në lagështi ose nën ujë.
• Kini kujdes nga goditjet elektrike që mund të vijnë nga rënia e telave të tensionit në pellgjet me ujë.
• Njoftoni në numrin 112 apo në çfarëdo forme tjetër komunikimi për problemet që mund të keni.
Disa rrugë të bllokuara në mbarë vendin për shkak të vërshimit të ujërave.
Si pasojë e intensitetit të lartë rreshjeve të shiut, aksi rrugor Kardhiq-Gjirokastër kalohet me vështirësi pasi ka dalë uji në rrugë tek pika e Viroit.
Aksi Fushë Krujë-Laç, kalohet me vështirësi pasi përballë lokal Arbëria në Fushë-Krujë ka dalë uji në rrugë.
Autostrada ne drejtimin Tiranë-Durrës eshte e kalueshme, ndersa nga Durresi drejt Tiranes eshte ende e bllokuar dhe po punohet per hapjen e saj.
Nga Durrësi për të ardhur në Tiranë drejtuesit e mjeteve të qarkullojnë në aksin Durrës-Vorë-Rinas-Laknas-Kamëz deri ne nje njoftim te dyte.
Top Channel