Barcelona do të bëjë edhe një tentativë tjetër për blerjen e Philippe Coutinho. Sipas asaj që publikohet te “El Mundo Deportivo” dhe “Sport”, të përditshme që janë shumë pranë klubit katalanas, tashmë ekipi blaugrana ka përgatitur ofertën e re për Liverpoolin, për futbollistin brazilian.
Gjithnjë sipas këtyre medieve, nënkampionët e Spanjës janë gati të derdhin në arkat e “The Reds” plot 130 milionë euro, por duke qenë të ndërgjegjshëm se ky operacion mund të shkojë deri në 150 milionë euro.
Tashmë, situata për Coutinhon ka ndryshuar, pasi Liverpooli nuk është më këmbëngulës në qëndrimin e tij për të mbajtur Coutinhon në “Anfield Road”, përkundrazi i ka hapur dyert e largimit për brazilianin.
Sigurisht, tratativat nuk do të jenë të lehta për Barcelonën, pasi çështja nuk qëndron vetëm te vlera e kartonit të futbollistit. Javët e kaluara u fol për arritjen e një akordi mes Barcelonës dhe Coutinhos për një pagë prej 14 milionë eurosh në sezon, që e bën atë futbollistin e dytë më të paguar te katalanasit, diçka që mund të ndikojë në sjelljen e lojtarëve të tjerë të Barcelonës.
Për më tepër, me këtë pagë Barcelona do të kalonte çdo kufi të lejuar, për sa i përket çështjes së pagesave të lojtarëve, gjë që e bën të domosdoshme largimin e disa prej elementëve të saj, ku në krye të listës qëndron Arda Turan, që përfiton 8.5 milionë euro në sezon.
Përveç turkut, Barcelona duhet të shesë edhe dy lojtarë të tjerë që kanë të njëjtën pagë, 3 milionë euro në sezon, në mënyrë që t’ia lejojë vetes pagesën ndaj Coutinhos.
Top Channel