Me himnin kombëtar të Shqipërisë dhe Greqisë është hapur në Selanik mbrëmja festive kushtuar 28 dhe 29 Nëntorit të organizuar nga konsullata shqiptare në këtë qytet.
“Mirëserdhët në festën tonë Kombëtare. Shqipëria sot feston 105 vjetorin e Pavarësisë dhe 73 vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazofashiste”, u shpreh Pavlina Ylli, Konsulle e Përgjithshme Selanik.
Përfaqësues të trupave diplomatike në Selanik, atashe ushtarake, dhjetëra bashkatdhetarë, biznesmenë grekë, miq dhe dashamirës të popullit shqiptar kanë dhënë urimet më të mira për festat kombëtare të Shqipërisë.
“Dua të uroj gjithë të mirat dhe është nder i madh për mua dhe kënaqësi që mu dha mundësia për të qenë këtu dhe për të marrë pjesë në këtë festë”, u shpreh Rebecca Fong, konsullja amerikane në Selanik.
“Ashtu siç do vit unë me mënyrën më të mirë që mundem kam nderuar festen e Pavarësisë së Shqipërisë. Përpiqemi me çdo mënyrë të mbështesim përpjekjet që bën komuniteti shqiptar në Selanik të integrohet në jetën e qytetit”, tha Giannis Boutaris, kryebashkiaku i Selanikut.
“Jam i gëzuar që ndodhem këtu,ju falenderoj për ftesën dhe jap urimet më të mira për Republikën e Shqipërisë”, tha Giannis Podiotis, Kolonel Aviacioni/Drejtor i Shkollës Ushtarake.
Këshilltarja e lartë e Këshillit të Europës për Rininë, Kulturën dhe Edukimin e njohur dhe për përpjekjet e saj për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO i ka dhënë urimet në Gjuhën Shqipe.
“Gëzuar festat e Nëntorit dhe do doja të jepja një mesazh për respekt, dashuri dhe komunikim midis popullit grek dhe atij shqiptar”, tha Meri Drosopoulos, Këshilli i Europës për Rininë, Kulturën dhe Edukimin.
Ndjenja e atdhedashurisë si dhe respekti për luftën dhe përpjekjet e popullit shqiptar për liri e pavarësi, nuk harrohen kurrë dhe mbahen gjallë gjithmonë nga emigrantet shqiptarë në Greqi.
Top Channel