Deri në 800 milionë punëtorë në të gjithë globin do të humbasin vendet e tyre të punës, deri në vitin 2030, dhe do të zëvendësohen nga robotët automatikë.
Ky është përfundimi, në të cilin del një studim i kryer në 46 vende nga Instituti global “McKinsey”, sipas të cilit një e pesta e forcës punëtore globale do të preket.
Në studim, një e treta e forcës punëtore në vende të pasura si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara mund të kenë nevojë të ritrajnohen për punë të tjera. Operatorët e makinerive dhe punonjësit e sektorit të ushqimeve do të goditen më rëndë.
Vendet e varfëra, që kanë më pak parà për të investuar në automatizim, nuk do të preken në këto përmasa.
Sipas autorëve të studimit, India do të ketë rreth 9 për qind të vendeve të punës që do të zëvendësohen nga teknologjitë e reja. Autorët mendojnë se detyra të kryera nga kambistët, llogaritarët dhe disa të tjera nga stafi mbështetës, janë veçanërisht vulnerabël ndaj automatizimit.
Punët që kanë nevojë për ndërveprim njerëzor, si mjekët, avokatët, mësuesit apo baristët janë më pak të ekspozuara ndaj automatizimit. Edhe punët specifike, që paguhen pak, si kopshtarët, hidraulikët apo kujdesi social do të preken pak nga automatizimi.
Në vendet e zhvilluara, nevoja për arsimim të lartë do të rritet, ndërsa punët që kërkojnë më pak edukim do të reduktohen. Vetëm në SHBA, 39 deri në 73 milionë vende pune mund të eliminohen deri në vitin 2030, por rreth 20 milionë nga kjo forcë punëtore mund të kalojnë lehtësisht në industri të tjera.
Në Britani, 20 për qind e vendeve aktuale të punës do të automatizohen në të njëjtën periudhë. Autorët thonë se bota do të shohë një tranzicion të një shkalle si ai i fillimviteve 1900, kur pjesa më e madhe e industrisë globale kaloi nga fermat te fabrikat.
Por, ata nënvizojnë gjithashtu se teknologjia e re do të kërkojë tipe të reja pune, si atëherë kur u shfaqën kompjuterat personalë, në vitet 1980, që çuan në punë mbështetëse teknologjike dhe biznese “online”. Autorët, ndërkohë, u kërkojnë qeverive të vënë në zbatim plane për ritrajnimin e qytetarëve të tyre.
Top Channel