Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi arrest me burg për dy ish-zyrtarë të policisë së Vlorës pas kërkesës së prokurorisë që i dyshon ata për trafik droge kultivim kanabisi dhe shpërdorim detyre.
Për ish drejtorin e Vlorës Jaeld Çela dhe ish shefin kundër krimit të organizuar Gjergj Kohila, Krimet e Rënda aprovuan masën e arrestit në mungesë, ndërkohë që më herët është shpallur i njëjti vendim edhe për ish shefin e postës kufitare Dhërmi Sokol Bode.
Prej shtatë ditesh të tre ish zyrtarët e lartë të policisë janë në kërkim, pas një urdhër ndalimi të firmosur nga grupi i prokurorëve që po hetojnë dosjen më sensitive për momentin.
Por mos arrestimi i tre ish shefave hodhi dyshimet se operacioni për kapjen e ish zyrtarëve ishte dekonspiruar, një dyshim i cili ende nuk ka një përgjigje se përse nuk u finalizua me sukses prangosja e ish shefave të policisë.
Siç mësohet nga burimet dyshohet se Jaeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode kanë favorizuar grupet kriminale për të kultivuar canabis sativa gjatë viteve 2015-2016 në fshatrat e Vlorës.
Ndërkohë thuhet se njëri prej tyre gjatë kohës që kishte detyrë të luftonte krimin, komunikonte në telefon me personazhe problematike me ligjin sikurse është i kërkuari nga dosja Habilaj-Tahiri, Florian Habilaj.
Pas dhënies së këtij vendimi, pritet që autoritetet të shpallin në kërkim ndërkombëtar të tre ish zyrtarët.
Përveç vendosjes nën lupë të dosjes italiane tashmë të përkthyer, hetimet po vazhdojnë edhe për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Në këshillin e mandateve më herët prokurorët kërkuan autorizimin për arrestimin e tij, ku dhe u aprovua kontrolli i banesës.
Kur ka kaluar më shumë se një muaj për këtë dosje dhe pas një fluksi veprimesh hetimore parashikohet që së shpejti akuza të rishikojë qëndrimin e saj.
Top Channel