“Fiks Fare”, zjarrfikësit e pushuar në Berat: Na larguan politikisht

30/11/2017 20:54

“Fiks Fare” transmetoi para pak javësh emërimet politike në repartin e Zjarrfikëses në Berat. Nipi i kryetarit të Bashkisë, vëllai i drejtorit të Ujësjellësit. Madje, edhe punonjës mbi 30 vjeç, në kundërshtim me ligjin e vitit 2015.

Drejtori i repartit tha se nuk gjetën dot shoferë nën 30 vjeç me klasin D, prandaj janë bërë këto emërime. Por, pas transmetimit, në redaksinë e “Fiks Fare” telefonuan ish-punonjës, luftues me zjarrin apo edhe shoferë, që ishin prej vitesh në atë repart.

Luan Tara thotë se ka punuar që në vitet ’90 në zjarrfikëse. “Nga 1 nëntori 1987, deri në vitin 2016 kam kryer të gjitha funksionet në repartin e zjarrfikëses, që nga polic, shofer, ekspert. Kam punuar me përkushtim, nuk kam pasur as më të voglën vërejtje”, thotë Tara.

Sipas tij, ai u largua në momentin që reparti kaloi nga Prefektura në Bashkinë e Beratit. Ai pohon se motivacioni ishte ristrukturimi për shkak të pozicionit të vendit të punës. Më tej shton se nuk e ka pritur mirë, madje iu bë padrejtësi.

“Urdhrin e firmosi shefi i MNZSH-së, Luman Spathara. Unë kërkoj që të shërbej në shërbim, pasi i kam të gjitha specializimet, nuk kërkoj të punoj inspektor, por vetëm si specialist”, përfundon Tara.

Ndërkohë, një tjetër punonjës, Estref Luari thotë se ka filluar punë në vitin 2006 dhe largohet në vitin 2016.

“Vjen drejtori i PMNZSH-së, dihet që është post partiak. Shkojmë një mëngjes, marrim zarfin, në 7:50 rreshtohemi për të lënë turnin. Zarfin na e dha komandanti i repartit. Na u duk një largim i padrejtë. Pa dalë mirë te dera, pas derës na prisnin 6-7 vetë të tjerë. Sa lëmë shërbimin futen ata. Këto ndodhin për shkak të emërimeve nepotike, pasi erdhi një kryetar bashkie, në bashkëpunim me një përgjegjës, bëjnë ndërrimet. Unë kam dy fëmijë në shkollë të lartë. Detyrime ndaj shtetit kemi. Unë isha një luftues dhe shofer. I plotësojmë kriteret, madje i kam të gjitha klasat”, thotë ish-punonjësi.

Më tej, ai shton se ka 10 vite që lëviz makinat e zjarrfikëses dhe nuk ka pasur asnjë incident.

“Na larguan se nuk na paraqisnin si të klanit të tyre. Ne nuk kemi bindje. Këta që erdhën sot në punë, që nga kryetari i Bashkisë, pruri nipçet e tij. Ne kishim eksperiencë. Unë një copë shofer isha. Këta që presin pas derës ishin miqtë e kryetarit. Ne duam të punojmë”, vijon ish-punonjësi.

Gëzim Zotkaj thotë se në vitin 1999 ka filluar si zjarrfikës.

“Unë kam punuar shofer me të gjitha klasat. Kam 17 vite, s’kemi lënë vend pa shkuar. Këtë qytet muze e kemi mbrojtur me thonj. Kemi vajtur në çdo cep mali. Një ditë të bukur vete për të marrë shërbimin, më thonë ke një zarf. Habitem, më ikën truri i kokës. Më thanë përjashtohesh. As në burg s’kam qenë. Më thanë përjashtohesh. Ngela i skandalizuar. Mund të më largosh, jo të më përjashtosh. As kam vjedhur. Mua më ballafaqo me ata që kanë filluar dhe kush të dalë më i mirë. Jemi hequr 4 shoferë, shoferë të Enver Hoxhës. Kam bredhur Drobonikun”, thotë Zotkaj.

Më tej shton se e morën në qafë, e lanë rrugëve.

Një tjetër punonjës, Miltiadh Ikonomi thotë se ka filluar në repartin e zjarrfikëses në vitin 2001.

“Jam larguar me urdhër të drejtorit, më 15 korrik të vitin 2016, me motivacionin se lirohem për pavlefshmëri të aktit të pranimit. Ky akt u verifikua pas 16 vitesh. Unë di vetëm largimin. Këtë largim e kam ankimuar në Gjykatën Administrative në Vlorë. Në Gjykatën e Shkallës së Parë kam fituar 23 paga”, thotë Ikonomi.

Më tej, ai sqaron se ndryshimet që janë bërë janë politike.

“Nepotizmi dominon në atë sektor. Ky është shkaku”, përfundon Ikonomi. Të njëjtin motivacion largimi kishte edhe ish-punonjësi Neritan Durdia, që ka qenë prej shumë vitesh në repartin në Berat, si luftues.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel