Gentian Mezani e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundëshme aventurën e tij në krye të ekipit të Laçit, ku zëvendësoi Stavri Nicën, në fillim të kësaj jave.
Ekipi i drejtuar prej tij triumfoi ndaj Vllaznisë me rezultatin 2-0, në një takim ku heroi ishte sulmuesi 21 vjeçar Xhixha, që shënoi të dy golat e 90 minutëshit.
Në Laç u zhvillua një ndeshje e hapur, ku të dy ekipet kërkuan të shënonin, por vendasit ishin më agresivë dhe kaluan në avantazh me Xhixhën, pas një mosmarrëveshjeje në mbrojtjen shkodrane.
Në pjesën e dytë Vllaznia kërkon të barazojë, por rastet janë sporadike dhe mbrapa le shumë hapësira, të cilat u shfrytëzuan sërish nga vendasit për të shënuar golin e dytë. Pas një krosimi në zonë, portieri shkodran Selimaj grushtoi gabim një topin, duke e përplasur në fytyrën e mbrojtësit të Vllaznisë Pjeshka dhe më pas Xhixha me portën e boshatisur shënoi golin e dytë dhe vulosi rezultatin.
Pas kësaj jave, Laçi shkon përkohësisht në vendin e katërt, me 6 pikë, ndërsa Vllaznia mbetet në kuotën e katër pikëve, në katër ndeshje të zhvilluara.
Top Channel