I dënuari për krime lufte në Kroaci, Slobodan Praljak raportohet të ketë vdekur në spital, pasi piu helm gjatë një seance në Hagë, siç raportojnë mediet kroate.

Raportet nuk janë konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, që la në fuqi dënimin me 20 vite burg për ish-gjeneralin boshnjako-kroat.

Seanca u ndërpre pasi i akuzuari u pa teksa gëlltiste lëngun nga një gotë, pas dhënies së vendimit përfundimtar.

Slobodan Praljak ishte një nga ish-udhëheqësit e lartë boshnjako-kroat, që kishin apeluar dënimin me 20 vite burg, dhënë në vitin 2013 për krime në Mostarin lindor.

Pasi dëgjoi konfirmimin e dënimit, 72-vjeçari u pa të gëlltiste diçka duke bërë një gjest dramatik, e i tha gjykatësit se kishte pirë helm dhe se ai nuk ishte një kriminel lufte. Gjykatësi kryesor pezulloi seancën dhe kërkoi menjëherë një mjek.

Të 6 udhëheqësit politikë dhe ushtarakë që dolën para gjykatës ishin dënuar në vitin 2013 për persekutimin, dëbimin dhe vrasjen e myslimanëve gjatë luftës në Bosnje.

Rasti është i fundit në duart e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, e ngritur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1993, para se ajo të mbyllë dyert muajin e ardhshëm. Javën e shkuar, gjykata dënoi ish-komandantin serbo-boshnjak, Ratko Mladiç, për gjenocid dhe krime të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA