Testi i Koresë së Veriut, SHBA premtojnë sanksione të reja

29/11/2017 19:22

Koreja e Veriut tha se raketa që testoi natën e kaluar transportonte një mbushje ushtarake, e aftë që të rikthehet në atmosferën e Tokës.

Ky pretendim nuk është vërtetuar dhe ekspertët hedhin dyshime mbi aftësinë e vendit të izoluar për të ndërtuar një teknologji të tillë.

Sipas ekspertëve, raketa e re “Hwasong 15” u lëshua me një trajektore shumë të pjerrët, fluturoi për thuajse një orë dhe arriti lartësinë 4.500 km.

Nëse do të ishte lëshuar me një trajektore standard, ajo mund të fluturonte për 13 mijë km dhe teorikisht të arrinte çdo objektiv në SHBA.

Por, analistët thonë se mbushja e saj ishte e rreme, pra shumë e lehtë, diçka që lejoi fluturimin, pasi një mbushje e vërtetë bërthamore që peshon shumë do ta bënte këtë të pamundur.

Ekspertët thonë se Koreja e Veriut nuk është e aftë të ndërtojë mbushje bërthamore të miniaturizuara, por dëshira nuk i mungon dhe përpjekjet e shumta me këto teste janë shkelje e rezolutave të OKB-së.

Pavarësisht kësaj, udhëheqësi koreano-verior Kim Jong-un e cilësoi testin e raketës perfekt dhe një zhvillim të rëndësishëm. Kjo nuk ka dyshime, pasi testi u dënua nga komuniteti ndërkombëtar, në veçanti nga Shtetet e Bashkuara që premtuan një seri sanksionesh të reja serioze.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Trump foli në telefon me homologun e tij kinez, Xi Jinping, e i kërkoi Pekinit që të ndërhyjë për të bindur Korenë e Veriut t’u japë fund provokimeve. Përmes një postimi në “Twitter”, Trump e konfirmoi këtë dhe premtoi se situata do të zgjidhet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA