Panairi i Bujqësisë “Shqipëria punon tokën”, i çelur sot në sheshin Nënë Tereza, synon të promovojë produktet shqiptare. Por fermerët e pranishëm në Panair, flasin për vështirësitë me të cilat përballen në treg.
Nikolla, është një nga prodhuesit e mollëve në zonën e Korçës, bashkë me familjen e tij. Nikolla ndodhet Tiranë për të reklamuar mollët e tij, të famshmet mollë të Korçës. Por gjithçka nuk është e kuqe për Nikollën. Fermerët si ai, krahas ngricave, përballen me shumë vështirësi të tregut, si çmimi i pandershëm dhe konkurrenca nga importi.
“Familja ime prodhon në vit rreth 100 ton mollë. Me tregun shpeshherë jemi në vështirësi si p.sh çmimi i pandershëm. Pemtaria ka shpenzime shumë të mëdha. Po të kisha një ndihmë do të bëja gjera shumë të bukura në bujqësi, sigurisht financiare”, u shpreh Nikolla Konstandini, prodhues molle.
Si Nikolla, këtu në Panairin e Bujqësisë, janë edhe rreth 600 prodhues të tjerë nga fusha e bujqësisë. Kryeministri Edi Rama u premtoi mbështetje për çdo ide inovative që lidhet me bujqësinë.
“Ne do të shtojmë fondet për idetë e çdo të riu që do të lidhet me produktet bujqesore”, tha Rama.
Për ministrin Niko Peleshi viti i ardhshëm do të jetë viti me financimet më të mëdha për bujqësinë.
“Pranverën e ardhshme do të nisë çelja e dhënies së fondeve të IPARD në shumën 93 milionë euro, së bashku me fondin 20 milionë euro të dhënë nga buxheti i shtetit”, deklaroi Niko Peleshi.
Panairi i Bujqësisë do të qëndrojë i hapur në sheshin Nënë Tereza deri mesditën e së enjtes.
Top Channel