Thonë se “dashuritë e mëdha” nuk vdesin kurrë. Ndaj, për 40-vjetorin e lindjes, André Villas-Boas ka dashur t’i bëjë dhuratë vetvetes pjesëmarrjen në garat “Rally” në Dakar.
Trajneri portugez, i cili në moshën 33-vjeçare udhëhoqi drejt suksesit Porton në Europa League (2011), më pas u emërua në stolin e Chelseat, për të vijuar më tej me fitimin e kampionatit rus me skuadrën e Zenitit të Shën Pjetërburgut (2015), e pas një aventure me Tottenhamin do të përfundonte te kinezët e Shanghai SIPG, i kthehet kështu pasionit të fëmijërisë.
Kur ishte adoleshent, Villas-Boas frekuentonte shumë stadiumet, por jo aq shumë fushat e blerta, sesa terrenet e thyera ku garohej me motorë, madje ka garuar edhe në kampionatin portugez në terrene të ashpra.
Impenjimi gjithnjë e më i madh në futboll dhe sukseset e arritura si trajner e detyruan që të largohej disi nga sporti i motoçiklizmit, por pasioni për të marrë pjesë në një garë të vetme të Dakarit, siç kishte bërë dikur xhaxhai i tij Pedro Villas-Boas në vitin 1982, i mbeti gjithmonë gjallë.
Tashmë fati i ka trokitur në derë në moshën 40-vjeçare, vite të cilat i festoi më 17 tetor.
“Më pëlqeu ideja që të garoja në edicionin e 40 të Dakarit me motorë, kështu që mora në telefon mikun tim Alex Doringer, menaxherin e ekipit ‘KTM’. Më tha se më duhej një vit i tërë stërvitjeje për të qenë gati për të garuar, ndaj më këshilloi të bëja disa xhiro me makina fillimisht. Më siguroi kontakte me ekipin ‘Overdrive’ dhe prej atëherë projekti mori formë reale”, rrëfen Villas-Boas.
Top Channel