Luhen sot 7 ndeshje të fazës së 1/8 të Kupës së Shqipërisë. Padyshim vëmendja më e madhe do të jete tek ajo që përkufizohet si klasikja e futbollit shqiptar, sfida mes Tiranës dhe Vllaznisë.
Përballë do të vihen dy skuadrat që diskutuan qëndrimin në Superiore në javën e fundit të sezonit të kaluar,me skuadrën shkodrane që e arriti objektivin e saj.
Bardheblutë që po ecin mjaft mirë në sezonin aktual të Kategorisë së Parë, do të luajë në këtë ndeshje për të marrë revanshin ndaj shkodranëve, pa harruar këtu që fitimi i këtij kompeticioni është edhe një prej objektivave të kryeqytetasve që për më tepër janë edhe fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë.
Ndërkaq, përpara kësaj sfide, në orën 14:00 do të luhen 6 ndeshje të tjera. Skënderbeu do të luajë ndaj Besëlidhjes në Lezhë, ndërkaq, interesante janë edhe sfidat Kamza-Teuta dhe Lushnja-Laci për vetë faktin se janë vënë përballë skuadra që janë pjesë e Kategorisë Superiore. Kampionët e Kukësit do të luajnë me Erzenin, ndërsa Flamurtari do të përballet me Turbinën.
Sot do të luhet edhe sfida Bylis-Luftëtari ndërsa Pogradeci-Partizani do të luhet ditën e enjte.
Top Channel