Muajt e fundit të vitit duket se kanë rikthyer një problem të hershëm të buxhetit, atë të mosrealizimit të investimeve publike. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në tetor qeveria realizoi vetëm 45 për qind të investimeve të programuara për këtë muaj.
Sipas Ministrisë së Financave, nga 8.9 miliardë lekë që ishin planifikuar për muajin e kaluar, investimet publike u realizuan vetëm 4 miliardë lekë.
Të dhënat tregojnë se në gjysmën e parë të vitit, investimet publike kanë ecur në përputhje me planin, pasi gjatë fushatave elektorale qeveritë tentojnë të rrisin shpenzimet për të përfituar pikë politikisht.
Por me përfundimin e zgjedhjeve, investimet e qeverisë janë ngadalësuar duke bërë që në total si dhjetëmujor ato të jenë 7.4 miliardë lekë ose rreth 70 milionë dollarë më të ulëta nga plani. Të dhënat tregojnë se mosrealizimin më të madh e kanë investimet me fondet e veta të buxhetit, ndërsa ato me financim të huaj kanë një ecuri më të mirë.
Investimet publike, ose shpenzimet kapitale siç klasifikohen ndryshe janë zëri më produktiv i shpenzimeve të qeverisë, pasi ndikojnë rritjen ekonomike dhe nxisin punësimin.
Por vitet e fundit, veçanërisht në periudhën 2014-2015 realizimi i tyre sipas planit ka rezultuar problematik, duke u përqendruar në dy muajt e fundit të vitit. Kjo sipas FMN jo vetëm që dëmton cilësinë e investimeve, por frenon edhe ekonominë.
Top Channel